Për çfarë kontrolli e kishte fjalën kryeministri Hoti, situata me të infektuar sot rezultoi alarmante

87

Kosova sot shënoi një rekord të zi me numrin e të infektuarve me koronavirus brenda 24 orësh. Vetëm sot, nga 419 mostra të marra nga IKSHPK, 241 prej tyre dolën pozitive, e që në përqindje është shifër jashtëzakonisht e madhe dhe alarmuese për institucionet.

Informohu per Koronavirusin ne Zvicer

Kosova aktualisht po përballet në një luftë të ashpër me pandeminë COVID-19. Vetëm sot, në vendin tonë u konfirmua numër rekord i rasteve pozitive, gjithësej 241, shkruan lajmi.net.

Një statistikë e tillë duket se ia ka prishur matematikat kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, që sot u krenua me menaxhimin e ditëve të fundit nga personeli shëndetësor dhe ministria e Shëndetësisë.

Kur u pyet nga gazetarët për kritikat në drejtim të tij, Hoti madje u shpreh se situata ka filluar të futet në kontroll

“Më vjen mirë, që me një angazhim të shtuar të MSH-së dhe të gjithë ekspertëve shëndetësor, situata ka filluar të menaxhohet më mirë, dhe të futet nën kontroll”, tha Hoti.

Por kështu s’po duket të jetë. Fjalët e Hotit u demantuan nga statistikat e IKSHPK-së, të cilat treguan se vetëm në 24 orët e fundit janë konfirmuar 241 raste pozivite me COVID-19.

Po ashtu, gjatë së njëjtës periudhë, si pasojë e virusit kanë vdekur edhe gjashtë pacientë të tjerë.

Theksojmë se qeveria Hoti është kritikuar tej mase për mënyrën e menaxhimit me situatën e pandemisë, dhe masat e ndërmarra gjatë kësaj periudhe.

Aktualisht, në fuqi janë masat e orës policore, mbajtjes së maskave dhe respektimit të obligueshëm të vendimeve të marra nga institucionet përkatëse. /Lajmi.net/

Comments