Përderisa Ministri Bekteshi po merret me asfaltim prej 2km rrugë, investitorët po tërheqin paratë e tyre, dhe po ikin nga vendi!

447

Përderisa Ministri i Ekonomisë po merret me asfaltim të rrugëve prej 2 deri në 10 kilometra, afaristët dhe investitorët e huaj me të madhe po ikin nga Maqedonia e Veriut, përshkak politikave të dobëta ekonomike si dhe rënien drastike që pësoi vendi në të dhënat e fundit të “Financial Times”, transmeton Zhurnal.

Sipas Bankës Popullore në maj dhe qershor të këtij viti, investimet e huaja janë në minus prej 13 milion eurove, gjegjësisht, aq janë tërhequr nga Maqedonia. Vitin e kaluar kanë hyrë 624 milion euro investime të huaja, ndërsa në gjashtë muajt e parë të këtij viti ka vetëm 55,6 milion euro, që është rezultati më i dobët në dekadën e fundit, shkruan REL , transmeton Zhurnal.mk.

Sipas metodologjisë së Bankës Popullore, kjo jep një fotografi se si Biznesmenët thonë se investuesit e huaj kërkojnë qeverisje të së drejtës dhe të kenë siguri në paratë e investuara, ndërsa vendi ynë nuk mundet të lavdërohet në këtë drejtim.

Rikujtojmë se para tre viteve, Maqedonia ishte në vendin e tretë sa i përket investimeve të huaja, ndërsa këtë vit në vendin e 18.

Ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi pati paralajmëruar investime milionëshe të huaja, por të dhënat e fundit të Bankës Popullore i demantojnë fjalët e tij. Dhe kjo dëshmon se për ministrin Bekteshi investimet e huaja si duket nuk janë dhe aq të rëndësishme. Për të, “arritje e madhe” dhe investim strategjik është asfaltimi i rrugëve prej 2 nga 10 kilometra.

Analisti Urim Saliu në një prononcim për Zhurnal shprehet se vendi ynë në vitin e fundit asnjëherë nuk ka qenë më keq, si në aspektin politik ashtu edhe në atë ekonomik.

Sipas tij, dëshmitë e funksionarëve shtetërorë bien në ujë nga analizat e ekspertëve eminent, sidomos në aspektin e investimeve të huaja, ku në 10 vitet e fundit, nuk ka patur një shifër kaq të ulët të investimeve.

“Tonet optimiste të kësaj qeverie po shuhen.Vendi si asnjëherë më parë dhe sidomos në vitin e fundit nuk ka qenë më keq si në aspektin politik poashtu edhe në atë ekonomik që është thelbësorë.Atë që thonë zyrtarët e lartë të shtetit nuk korrespondon me atë që thonë institucionet relevante të jashtme dhe analizat nga ekspert eminent që përgënjeshtrojnë të dhënat e qeverisë sidomos në investimet e huaja që alarmojnë situatën dhe po zvogëlohen secilin vit.Janë këta të fundit,pra investimet e huaja që nuk kanë qenë kurrë më keq ,sidomos në dhjetëvjeçarin e fundit ,me kaq pak të hyra për të cilën ekspertët ekonomik mund të flasin më me kompetencë por shihet se të tillë njerëz profesionalistë po heshtin”, shprehet mes tjerash Saliu.

Ai më tej shton se vendi ende vazhdon të ngelet më i prapambeturi ekonomikisht në rajon. Dëshmi për këto siç thotë ai, janë migrimi masiv, paga më e ulët në rajon, mos-investime të huaja etj, e të gjitha këto vendin e çojnë drejtë kolapsit.

“Politika do që t’a bëjë të bardhë atë që është e zezë sterë por duket se krejt atë që e thotë kryeministri kur flet për “parajsën” ekonomike, ndodhë gjithnjë e kundërta, siç ka ndodhur thuajse me gjithë premtimet e tij deri tani. Kjo është shumë pesimiste sepse Maqedonia vazhdon të mbetet vendi më i prapambetur ekonomikisht se vendet tjera të Ballkanit Perëndimorë,me paga më të ulëta në rajon,me depresion ekonomik dhe me investime të huaja të pakta dhe migrim masiv që ka marrë formën e shpërnguljes pikërisht nga këta faktorë të lartpërmendur. Kjo po e çon vendin drejt një kolapsi por që megafonët qeveritarë vazhdojnë t’a thonë të kundërtën dhe e fshehin realitetin e ashpër këtu”, shprehet, për Zhurnal, analisti Urim Saliu.

Së fundmi, biznesi vendor kërkonte dhe vendosjen e bashkëpunimit të obligueshëm të investitorëve të huaj me kompanitë në vend. Sipas tyre, nevojitej të ndiqet praktika e shteteve sipas së cilave, në nivelin e subvencioneve që i fitojnë kompanitë e huaja do të përcaktohet një përqindje e caktuar e repromaterialeve lokale për prodhimin tyre final.

Ekspertët ekonomik konsiderojnë gjithashtu se edhe kriza politike në vend është si arsye e mos ardhjes së investuesve të huaj. Kjo madje u pohua edhe në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, ku theksohet se problemi me sistemin e drejtësisë paraqet rrezik për investitorët.

Comments