Plagosje me armë zjarri në Pejë, policia në aksion për kapjen e tij

120

Sot në orën 12:43 minuta ka pasur të shtëna me armë zjarri në Pejë, ku një person ka mbetur i plagosur.

I plagosuri është jashtë rrezikut për jetë dhe po trajtohet në spitalin e Pejës. Informacioni është konfirmuar për lajmi.net nga zëdhënësi i policisë për Rajonin e Pejës, Driton Rugova.

Ai tha se personi i dyshuar lidhur me incidentin është i njohur për policinë edhe është në kërkim.

“Sot rreth orës 12:43 policia ka pranuar informatën së në rrugën “Nëna Terezë” në Pejë ka pasur të shtëna me armë zjarri. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, një person është plagosur në këmbë dhe është dërguar në spitalin rajonal të Pejës. I dyshuari është i njohur për policinë, është në arrati, policia është duke punuar për kapjen e tij”, ka thënë Rugova.

Kujtojmë, se sot kishte të shtëna me armë zjarri edhe në Prishtinë.

“Sot rreth orës 12:00, kemi pranuar informatën se në rrugën “Afrim Vitija” në Prishtinë, ka pas të shtëna me armë zjarri. Policia me të marrë informatën ka dalë në vendin e ngjarjes dhe është duke e bërë ekzaminimin e vendit ku ka ndodhë rasti. Bazuar në të dhënat fillestare nga arma e zjarrit është plagosur një person. I njëjti është dërguar për tretman mjekësor. Në kuadër të veprimeve të saj policia me një intensitet të shtuar ka ndërmarrë një varg veprimesh operative e hetimore, me fokus zbulimin vendndodhjen e të dyshuarve të mundshëm si dhe ka zgjeruar rrethin e hetimit në përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin”, ka thënë zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës Flora Ahmeti.

Personi i plagosur në këtë incident është duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe është jashtë rrezikut për jetë.

Kjo është konfirmuar nga drejtori i Emergjencës në QKUK, Basri Lenjani.

Sipas tij, i plagosur është qëlluar në pjesën e nëngjurit apo kërci dhe është jashtë rrezikut për jetë. /Lajmi.net/

Comments