Politizimi i institucioneve të pavarura shkakton reagime të shumta

70

Institucionet dhe organet e pavarura rregullatore vazhdojnë të politizohen me emërimin e personave me të kaluar politike në krye të tyre. Rastet e fundit me propozimin e anëtarëve të rinj të Komisionit për mbrojtje nga diskriminimi, ai me Avokatin e popullit dhe ai me KSHZ-në ngjallën reagime në opinion. Rrjeti për mbrojtje nga diskriminimi bën thirrje që anëtarët e Komisionit për mbrojtje nga diskriminimi të votohen sa më shpejtë edhe pse një pjesë e atyre që janë propozuar hedhin hije mbi misionin e tyre.

Rrjeti për mbrojtje nga diskriminimi kërkon që Kuvendi urgjentisht ta votojë përbërjen e re të Komisionit për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi. E përshëndesim mënyrën më transparente të zgjedhjes së anëtarëve dhe zgjedhjen e disa prej anëtarëve që kanë përvojë të pasur në këtë fushë, por përsëri, zgjedhja e një pjese të anëtarëve hedh hije në transparencën e procesit dhe pavarësinë e ardhshme të institucionit -thonë nga Rrjeti për mbrojtje nga diskriminimi.

Ndër kandidatët e propozuar për anëtarë të Komisionit për mbrojtje nga diskriminimi spikatën dy ish deputetët, njëra nga LSDM-ja dhe tjetri nga BDI-ja, Vesna Bendevska dhe Irfan Deari. Bendevska ka qenë deputete e LSDM-së për tre mandate nga viti 2006 deri në vitin 2014. Deari ka qenë qenë deputet i BDI-së nga viti 2011 deri në vitin 2014. Meqë ligji kushtëzon anëtarët të mos jenë persona partiak, ata kanë nënshkruar deklaratë se për momentin nuk janë anëtarë të asnjë partie politike. Për këtë arsye VMRO-DPMNE-ja lëshoi seancën plenare dhe anëtarët e rinj nuk u votuan si pasojë e mungesës së kuorumit.

Përbërja e propozuar e Komisionit kundër diskriminimit
• Igor Jadrovski, Komiteti i Helsinkit, jurist i diplomuar, 5 vjet mandat
• Neda Çallovska Dimovska, Komiteti i Helsinkit, jurist i diplomuar, 5 vjet mandat
• Limko Bejzaroski, politikolog dhe doktor i shkencave historike, 5 vjet mandat
• Irfan Deari, mejk amë, ish deputet, 5 vjet mandat
• Kire Vasilev, politikolog i diplomuar, 3 vjet mandat
• Ismail Kamberi, shkencat juridike, 3 vjet mandat
• Vesna Bendevska, psikologe, ish deputete, 3 vjet mandat

Rrjeti për mbrojtje nga diskriminimi thekson edhe mungesën e balancit gjinor në këtë organ të rëndësishëm antidiskriminues si dhe mos-emërimin e personave me aftësi të kufizuara edhe pse kanë aplikuar persona të kualifikuar.

Informohu per Koronavirusin ne Zvicer

OJQ-të edhe më herët kanë pasur kritika për përbërjen e Komisionit për mbrojtje nga diskriminimi. Në krye të tij më herët ishte Aleksandër Dashtevski, tani kryetar i sapozgjedhur i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Dashtevski ka qenë i afërt me VMRO-DPMNE-në. Pikërisht për këtë, zgjedhja e tij në krye të institucionit për organizimin e zgjedhjeve u kritikua nga Qendra për liri “Civil”.

Votimi i Dashtevskit për kryetar të KSHZ-së nuk përfaqëson asgjë tjetër, vetëm se sinjal se proceset reformuese janë të destinuara të dështojnë – theksojnë nga Qendra për liri “Civil”.

Ndërkohë dy ditë më parë, Komisioni parlamentar propozoi Naser Ziberin për Avokat të ri të popullit. Edhe Ziberi është person i ngjyrosur politikisht pasi në fushatën e fundit zgjedhore të BDI-së ishte kandidat për kryeministër. Procedura parlamentare ishte cilësuar si jotransparente nga Rrjeti për mbrojtje nga diskriminimi.

Si për Avokatin e popullit, ashtu edhe për Komisionin për mbrojtje nga diskriminimi si dhe Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, ligjet parashikojnë konkurs publik dhe zgjedhjen e personave kompetent dhe të pavarur, kjo edhe sipas rekomandimeve ndërkombëtare.

Fatlume Dervishi

Comments