Pollogu humbësi më i madh, mbi 5 mijë gjimnazistë më pak

120

Lumi - Fahrschule

Kurba e regjistrimit të nxënësve në shkollat e mesme ka pësuar një rënie drastike, sidomos në dy vitet e fundit shkollore. Rajoni i Pollogut, i cili për nga numri i përgjithshëm radhitet i dyti në vend pas rajonit të Shkupit, po shënon reduktime të jashtëzakonshme, sidomos pas vitit 2010, shkruan gazeta KOHA.

Nëse në këtë vit shkollor (2010-2011) në të gjitha shkollat e mesme të këtij rajoni numëroheshin 16.139 nxënës, në vitin shkollor 2016-2017 numri është tkurrur në vetëm 10841 nxënës, që do të thotë 5298 nxënës më pak. Duke iu referuar një tabele me të dhëna krahasuese për të gjitha rajonet e vendit të publikuar nga akademiku Izet Zeqiri, për një periudhë 16 vjeçare (2000-2016) Pollogu rezulton të ketë humbur 5214 nxënës në shkollat e mesme. Të dhënat janë shqetësuese sidomos po të krahasohen me rajonet e tjera ku reduktimet e numrit të nxënësve janë më të vogla.

“Pollogu lider! Ky grafikon tregon tendencat e zvogëlimit të regjistrimit të studentëve në Universitetet në Maqedoni. Pollogu edhe pse ka më shumë nxënës në shkolla të mesme në nivel të shtetit përveç regjionit të Shkupit, ky regjion vazhdon të jetë lider në zvogëlimin e nxënësve në shkolla të mesme me 5214 nxënës më pak nga viti 2010-2017. Pa paraqitur, arsyet, shkaqet, faktorët, përgjegjësit dhe propozim masat për ndalim të kësaj tendence”, shkruan akademiku Zeqiri.

Në Komunën e Tetovës, në Sektorin për arsim pohojnë se janë në dijeni të reduktimeve të vazhdueshme të numrit të nxënësve, por nuk kanë ndonjë shpjegim se pse ndodh ky fenomen. Ahmet Qazimi, përgjegjës në këtë sektor, nuk përjashton mundësitë e emigrimit jashtë vendit, zhvendosjes në komuna të tjera, si dhe regjistrimit në shkollat e qyteteve të tjera.

MÖBEL THEMA

“Ka rënie të numrit të nxënësve nga komunat e tjera të rajonit të Pollogut, shifrat janë të qarta. Çdo vit gjithnjë e më i vogël është numri i atyre që regjistrohen. E kundërta ndodh me arsimin fillor ku çdo vit numri i nxënësve vazhdimisht rritet. Meqenëse se shkollat e mesme, pjesa më e madhe gjenden në Komunën e Tetovës, ne servisojmë me arsim të mesëm të gjitha komunat e Pollogut dhe numri i nxënësve që vijnë nga fshatrat çdo vit ulet. Se cilat janë shkaqet, zyrtarisht nuk dihen. Mund të jenë ekonomike, emigrimet e popullsisë, jashtë ose edhe brenda vendit, tendencat për t’u regjistruar në shkolla të tjera të mesme jashtë Pollogut, apo edhe në shkolla fetare. Zyrtarisht nuk kemi statistika dhe gjithçka mund të jetë supozim”, thotë Qazimi.

Në vitin 2000, në shkollat e mesme në rajonin e Pollogut numëroheshin 13.452 nxënës dhe rritja e numrit ka vazhduar deri në vitin 2016. Edhe në nivel vendi fenomeni vërehet tek të gjitha rajonet. Për shembull, në rajonin e Shkupit – kur në vitin 2000 numëroheshin 28.275 nxënës, reduktimi i numrit të nxënësve ka qenë gradual, duke filluar që në vitin 2004, ndërsa në periudhën 16 vjeçare numëron 1004 nxënës më pak. Alarmin për uljen e numrit të nxënësve në shkollat e mesme në rang vendi e dha pak muaj më parë edhe Instituti për Hulumtime dhe Edukim Strategjik.

Sipas të dhënave të përpunuara nga ky institucion, numri i nxënësve në ciklin e mesëm është ulur me 15 mijë në periudhën nga viti 2013 deri në vitin 2017. Sipas tyre, nëse në vitin 2013 në të gjitha vitet (viti i parë, i dytë, i tretë dhe i katër), në arsimin e mesëm ka pasur 85 mijë nxënës, në vitin 2017 ishin 70 mijë.

Duke pasur parasysh se arsimi i mesëm është i obligueshëm, trendi i uljes së numrit të nxënësve sipas këtij studimi lidhet me lëvizjet demografike. Së bashku me numrin e nxënësve është ulur edhe numri i mësimdhënësve, por jo në përqindje alarmante si ai i nxënësve.

Comments