Prokuroria deklarohet për vrasjen e Albert Krasniqit

364

Biznesmeni Skender Krasniqi u arrestua mbrëmë nën dyshimin për kryerjen e ‘Vrasjes së rëndë’.

Por jo vetëm kaq. Skender Krasniqi është arrestuar mbrëmë si i dyshuar për vrasjen e djalit të tij, Albert Krasniqi.
Madje me të ndodhur rasti, ishte vetë Skender Krasniqi i cili telefonoi policinë dhe i njoftoi që të arrinin në vendin e ngjarjes.

Bashkë me zyrtarët policorë në vendngjarjes saktësisht në rrugën ‘Ndue Perlleshi’ arriti edhe ekipi i emergjencës nga Qendra Klinike Universitare si dhe Forenzika.

Lidhur me atë se si ndodhi i gjithë ky rast tragjik lajmi.net ka kontaktuar Prokurorinë Themelore në Prishtinë, të cilët kane theksuar se trupi i pajetë i viktimës është dërguar mbrëmë në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, si dhe në koordinim me Policinë e Kosovës janë duke u zhvilluar të gjitha hetimet lidhur me këtë rast.

“Lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar një (1) person, me dyshimin se ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173 të KPRK-së dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve​”, nga neni 366 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, u tha tutje në përgjigjen e prokurorisë.

Të pyetur lidhur me historikun e njohur për organet e drejtësisë të Albert Krasniqit, të njëjtët nuk deshën të deklaroheshin me arsyetimin se kjo po bëhet për shkak të fazës së hershme të procedurës.

“Për shkak të fazës së hershme të procedurës, nuk mund të japim detaje të tjera”.

Por burime të lajmi.net tashmë kanë bërë të ditur se Krasniqi kishte disa procese të njëpasnjëshme në kuadër të hetuesisë dhe gjyqësisë.
E një prej tyre ishte nën dyshimin për vrasje të një personi në një prej diskotekave në Graçanicë, rrahje të disa personave, plagosje të reperit Noizy e disa raste të reja.

Por jo vetëm kaq. Albert Krasniqi së fundi ishte në kërkim të Policisë së Kosovës, për shkak të dhunës fizike që kishte përdorur në drejtim të ish-gruas, Besa Gashi.

Madje sipas të njëjtave burime, Besa Gashi u rrah aq keq nga i ndjeri saqë përfundoi në spital.

Krasniqi pati disa herë probleme radhazi me bashkëshorten si dhe me anëtarët e tjerë të familjes.

Familja Krasniqi njihen për bizneset e tyre të ndërtimit, e një prej tyre është edhe “Përparimi”. Nga martesa që pati me Besa Gashin, Krasniqi la pas vetës një vajzë, dedikimin e fundit të cilin ia bëri asaj duke e quajtur “Dashuria e babit”.

Lidhur me ecurinë e këtij rasti, mbetet të shihet se si do të jetë vendimi i radhës nga organet e drejtësisë për të dyshuarin, Skender Krasniqi.

Varrimi i të ndjerit, Albert Krasniqi bëhet sot, ditë e enjte në ora 15:00, tek varrezat në kryeqytet./Lajmi.net/

Comments