Pse LDK ndryshoi qëndrim rreth Mini-Shengenit, tregon zyrtari i kësaj partie

60

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Driton Selmanaj është deklaruar rreth procesit të dialogut me Serbinë dhe qëndrimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës për Mini-Shengenin.

Selmanaj në intervistën e dhënë për “Përballje”, në Telegrafi ka treguar pse partia e tij (LDK) kanë ndryshuar qëndrim për Mini-Shengenin.

“Në fakt iniciativa ka ndodhur nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Kosova ka qenë e përjashtuar në atë kohë kur ka ndodhur ideja në Novi Sad. Normalisht kur Kosova është larguar ose nuk është thirrur fare, ne e kemi kuptuar si përpjekje të Serbisë që Kosovën ta injoroj totalisht dhe sovraniteti i saj të vihet në pikëpyetje.

Kemi kundërshtuar formën, jo përmbajtjen. Ka pasur ide që mund të bëhet një union doganor, ku të gjitha mallrat që do të vijnë nga shtetet e Bashkimit Evropian, do të doganohen dhe zhdoganohen në kufi, në shtetet që ata kyçen të parat në këtë zonë, dhe Kosova ishte i vetmi që nuk kufizohej me asnjë shtet të BE-së. Ne tashmë e kemi kuptuar saktë që kjo çështje nuk do të ndodhë”, ka thënë ai.

Kurse, sa i përket ligjit për rimëkëmbjen ekonomike, Selmanaj u shpreh optimist që ky ligj do të votohet në seancën e ardhshme, ditën e premte.

“Ne po shpresojmë që nesër kemi me kalu ligjin për rimëkëmbjen ekonomike. Ligjin për rimëkëmbjen ekonomike do ta votojnë edhe dy deputetë të LDK-së,  ata që kanë dalë kundër partisë. Për shkak të rëndësisë që e ka ky ligj do ta kemi edhe  votën e opozitës”, pohoi ai.

Selmanaj shtoi më tej se strategjitë e PDK-së dhe LVV-së që të mos marrin fare pjesë në votim janë primitive.

“Opozita nuk po merr pjesë farë në votim. Populli po dëmtohet nga mos votimi i ligjit për rimëkëmbjen ekonomike. Këto janë strategji primitive”, shtoi ai.

Selmanaj gjatë intervistës ka folur edhe për mocionin e LVV-së për rrëzimin e Qeverisë, çështjen e presidentit, si dhe për partnerët e koalicionit.

Comments