Rashica s’luan kundër Gjibraltarit, por është i gatshëm për Malin e Zi

43

Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, e ka pranuar se nuk do të rrezikojë me Milot Rashicën duke e futur në ndeshjen miqësore të së enjtes kundër Gjibraltarit, por do ta ruajë atë për takimin e Grupit A kualifikues për Euro 2020 kundër Malit të Zi të hënën.

Rashica iu bashkua ekipit kombëtar dardan këtë të hënë për herë të parë që prej muajit qershor, pasi i humbi ndeshjet kualifikuese të shtatorit shkaku i një lëndimi me klubin e tij Werder Bremen, raporton Gazeta Express.

Duke folur të mërkurën në një konferencë për media në Prishtinë para ndeshjes së nesërme kundër Gjibraltarit, Challandes tha se anësori vushtrrias është plotësisht i gatshëm, por nuk do të rrezikojë me të dhe ta ruajë për ndeshjen e së hënës kundër Malit të Zi.

“Rashica është më mirë. Do të jetë gati për të hënën, nesër nuk do të rrezikojmë”, tha Challandes.

MÖBEL THEMA

23-vjeçari u stërvit i veçuar nga bashkatdhetarët e tij në seancën e së martës mbrëma, pasi trajneri zviceran i verdhekaltërve po e ruan yllin më të madh të skuadrës nga frika se mund t’i rikthehet lëndimi muskulor që e kishte pësuar në muajin gusht.

Rashica luajti në dy ndeshjet e Werderit kundër Dortmundit dhe Frankfurtit në Bundesligë në dy javët e fundit, duke e lënë prapa lëndimin muskulor.

Challandes foli edhe për një pjesë të futbollistëve të tjerë, të cilët përballen me shqetësime.

“Muriqi po ushtron, Shala sot do të ushtrojë me ekipin. Paqarada e Vojvoda kanë po ashtu lëndime të lehta, por mund të ushtrojnë dhe të jenë gati”, shtoi ai. /Gazeta Express/

Comments