Rrugët e arnuara, makth për banorët e Likovës

122

MÖBEL THEMA

Rrugë e ngushtë me gropa të thella. Asfalt i vjetër, vende-vende i prerë. Në mbikalime duhet t’i hapësh krahun kolonës së veturave përballë, kurse nga automjetet e mëdha duhet të futesh në ara për t’iu shmangur aksidenteve. Kjo është përditshmëria e banorëve të Komunës së Likovës, të cilët udhëtojnë në rrugën rajonale që lidh pesë fshatra. Banorët thonë se i shkatërruan veturat.

 “Katastrofë është, shikojeni aspak nuk është puna mirë por s’kemi çfarë të bëjmë, na u prishën të gjitha veturat.”

“Kjo është rrugë regjionale, të kuptohemi se nuk është rrugë lokale. Nga Konflikti i vitit 2001 u bënë 18 vjet në pritje të kësaj rruge. Nuk është se ka filluar të rikonstruohet kohëve të fundit.Por, sidomos problem është kur vijnë kurbetqarët këto dy muajt e verës hasim në vështirësi shumë të mëdha.”

 “Ne kemi dashur që herët të reagojmë pasi që kanalizimet nuk kanë qenë në rregull dhe sot e kësaj dite nuk është puna e kryer, edhe pse na mashtrojnë jo sot po nesër.”

Përreth rrugës edhe këmbësorët hasin në vështirësi. Përveç ecjes në pluhur ose baltë ata i kanosen rrezikut nga automjetet. Më të ekspozuar ndaj rrezikut në trafik janë fëmijët dhe invalidët.

 “Po tash kemi vështirësi me lëviz se ka shumë gropa. Prej kur është kështu, a e keni këtë problem gjatë gjithë kohës? Po shkaku gropave kemi problem më shumë, po të rregullohet do të ishte mirë”

 Nga Komuna e Likovës thonë se rruga rajonale prej fshatit Likovë që lidh Hotlën, Mateçin, Ropalcën dhe Nikushtakun ka filluar të sanohet që nga qershori i vitit të kaluar. Sipas tyre, rruga ka mbetur në atë gjendje pas kryerjes së punimeve të rrjetit primar të ujësjellësit dhe kanalizimit. Kryetari Erkan Arifi thotë se kompetencat e komunës janë të kufizuara në rikonstruimet infrastrukturore.

Kemi kërkuar që ai projekt sa më shpejtë të përfundojë për arsye se afati që është dhënë nga Agjencia për Rrugë Shtetërore është diku 18 muaj për 3,5 km rrugë, që do të thotë se punët shkojnë shumë ngadalë dhe banorët e komunës sonë kanë pengesa të mëdha në qarkullim. Në bazë të koordinimeve që kemi me Agjencinë për Rrugë Shtetërore besoj se deri në fund të muajit të 9-të do të përfundojnë të gjitha punimet- deklaroi Erkan Arifi, Kryetar i Komunës së Likovës.

Sipas Agjencisë për Rrugë Shtetërore punimet do të përfundojnë në afatin e paraparë, përndryshe do të gjobitet kompania ndërtimore që ka marr tenderin prej 1,2 milion eurove. Sipas tyre, në atë zonë rruga tjetër rajonale Sllupçan-Llopat është në ndërtim e sipër, kurse në plan është edhe rindërtimi i aksit Nikushtak-Çerkez, segment ky i rrugës rajonale që lidhë Kumanovën me Shkupin.

 Adnan Qaili

Comments