Shëndeti i vajzës dhe varfëria rëndojnë mbi supet e familjes Zeqiri (VIDEO)

103

MÖBEL THEMA

Vogëlushja Nebije Zeqiri nga Manastiri, është vetëm shtatëmbëdhjetë muajshe. Por, fati nuk ka dashur që ajo të zhvillohet si të gjithë moshatarët e saj. Ajo vuan nga anomalia dhe ka problem me muskujt e këmbës, që e bëjnë atë të mos mund të qëndrojë në asnjë pozicion tjetër përpos të shtrirë. Për tu përmirësuar gjendja e saj, ajo ka nevojë për terapi të vazhdueshme në spitalin privat “Sistina Nefroplus” mes Strugës dhe Ohrit. Mirëpo vajtja nga Manastiri në Ohër është e kushtueshme dhe prindët nuk mund t’i përballojnë shpenzimet, pasi vetëm një ditë u kushton 100 euro. Nëna Haxhere Zeqiri tregon se sa e vështirë është për ta që ta shohin të bijën në atë gjendje, por nuk mund të bëjnë asgjë, për shkak të kushteve të vështira ekonomike.

Haxhere Zeqiri, nëna e Nebijes
“Unë e kam shumë rëndë. Kur e lë ndonjëherë dhe merrem me punët e shtëpisë ajo bënë pas meje që ta marrë unë…pas terapisë mund të ecë, por mund të kërkojnë që ta bëjnë edhe operacion. Ja vajza vetëm rrin e shtrirë, nuk mund të rrinë e ulur…Shtëpinë e kemi me qira, kemi problem edhe me ushqimin. Ndonjëherë kur kemi para, e dërgojmë vajzën në Ohër. Ajo duhet të dërgohet për çdo ditë, por nuk kemi mundësi, e dërgojmë në dy apo tre ditë, ndonjëherë nuk e dërgojmë fare, se nuk kemi”.

Jeta e tyre ka kaluar duke u shpërngulur nga një shtëpi në tjetër, përshkak se ata banojnë me qera. Bashkëshorti siç sqaron ajo, punon vetëm kur e thërrasin dhe nuk ka një punë të vazhdueshme, çka bënë që ta rëndojë edhe më shumë gjendjen e tyre. Mirëpo, potencon se për ta me rëndësi është vetëm shëndeti i të bijës. Kërkesa e Haxheres është që t’i ndihmojnë asaj për të grumbulluar disa të holla për terapinë e vajzës, që Nebija një ditë të mund të jetë në gjendje normale dhe të fillojë të ecë.

Haxhere Zeqiri, nëna e Nebijes
“Njëherë kemi shpresa që mund të ecë po të ja vazhdojmë terapinë…Kur punon burri, e dërgojmë vajzën në Ohër dhe pastaj nuk na ngelin as për ushqim as për qiranë…Ju lutem motrave, vëllezërve që ti ndihmojnë, sa të kenë mundësi…Mjeku na ka thënë që të ja vazhdojmë terapitë, por ne nuk kemi mundësi. Ne jemi edhe pa shtëpi, po të i kujtohet sot të largon nga shtëpia. Kemi banuar me një banesë, por atje nuk kishim mundësi që ta paguajmë sepse vajzën e dërgonim në terapi…pastaj na tha smundem më të ju mbaj dhe na largoi”.

Familja Zeqiri nga Manastiri mbështetet në shpresën se njerëzit zemërmirë do të zgjasin dorën e mëshirës, që të ndihmojnë ata me aq sa kanë mundësi, për ta normalizuar gjendjen shëndetësore të vogëlushes Nebije. Terapia e saj duhet të zgjasë nga 1 deri në 2 vite, varësisht sa do të jetë e suksesshme, por në qoftë se nuk i nënshtrohet terapisë, do të paraqitet nevoja e një intervenimi kirurgjik. Por ajo do të jetë edhe më e vështirë që të mbulohet nga të ardhurat e familjes.

/SHENJA/

Comments