”SHPËTIMTARI QË DO TË SJELLË NDRYSHIMIN”!

99
Është botuar këto ditë një shkrim editorial nga një aleancist i Selës në portalet e tij lidhur me zhvillimet e fundit në vend pas dështimit të hapjes së negociatave me BE-në, ku ai jep një mesazh hiperbolizues për liderin Sela sesi atij i qënkësh ngarkuar “barra” e sjelljes së ndryshimit te shqiptarët në Maqedoni.
Më tej aleancisti thotë, se ”ai duhet të ketë kujdes që të mos e pi “ÇORBËN” e shërbyer nga këta “helmues”, por ta ruaj veten dhe shpresat e shqiptarëve, e të kërkoj të bashkëpunojë me të gjithë që janë të zhgënjyer nga Ali Ahmeti, duke mos përjashtuar këtu edhe Menduh Thaçin, vetëm e vetëm për të sjellur demokracinë e munguar edhe për shqiptarët.”
Këto janë ëndrra me sy çelur që i imagjinojnë vetëm kalemxhinjtë nga kampi aleancist duke e krahasuar liderin e tyre me një Albin që do ta sjellë ndryshimin në vend.
Të bësh aleancë parazgjedhore me Alternativën e pushtetit do të thotë të bësh vetëvrasje politike për ardhmërinë e subjektit që përfaqëson, duke i larguar edhe simpatizantët më të flakët nga radhët e këtij subjekti ose janë plane djallëzore të përçarjes brenda opozitës shqiptare edhe ashtu të shpartalluar.
Përse nuk iu honeps të bëni aleancë parazgjedhore me lëvizjen Besa ta zëmë?
Si duket aleancistët nuk e duan këtë bashkim sepse kjo mbase i sjell shumë telashe DUI-t dhe pozicionimit të saj, duke e përçarë opozitën e shpartalluar në këtë mënyrë dalin në pah planet antishqiptare për ta mbajtur opozitën të përçarë dhe për pasojë do të mbajnë DUI-në pushtet në mënyrë permanente.
Bashkimi i opozitës është mënyra më e mirë për ta larguar një të keqe nga pushteti siç është dëshmuar DUI, por nuk është zgjidhja që duan shqiptarët.
Ziadin Sela nuk është një Albin Kurti dhe as  Aleanca një Vetëvendosje, që ”të vij dita” e ndryshimit me ”Alternativa” të shpifura, por janë produkt i ”pjelljes fëmijëve të urtë” të pushtetit.
Aleanca dhe Sela përfaqësojnë të djathtën e ”borgjezëve të varfër” që do ”godasin” në fushatën e ardhshme një të djathtë të pasur milionerësh ”borgjezë” siç janë integristët e DUI-t.

MÖBEL THEMA

Atëherë me çfarë alternative (me xhonturqit e Gashit) do ta mposht DUI-n dhe matrapazin Ali Ahmeti z.Sela? Albin nuk mund të bëhet pasi është pozicionuar gabimisht si pasivë duke vepruar si opozitë e përgjumur me kërkesa stereotipe dhe qëndrime qyqarësh.
Kësisoj, me këto veprime dhe qëndrime DUI nuk mposhtet dhe nuk rrëzohet.
 Albini ka vepruar ndryshe si rebel majtist revolucionar në rezistencën aktive kundër klanit Pronto për më shumë se një dekadë me Vetëvendosjen dhe ia ka dal.
Dita nuk vjen me ju duke qëndruar ”urtë e butë” në paqe të pafundme ndaj këtij pushteti kriminal që është vazhdimësi e pushtetit të mëparëshëm.
Vetëvendosja nuk ka pritur të bjerë vetë pushteti i banditëve por e ka dëshmuar ”luftën” e saj me protesta dhe qëndrime burrërore mbrojti kauzën kombëtare  kundër klanit kriminal që e nxorri në ankand publik integritetin territorial të Kosovës.
Ju opozita e shpartalluar e shitët identitetin kombëtar me ndryshimet kushtetuese bashkë me DUI-n, ku pranuat denigrimin dhe shtypjen me mbajtjen e nenit në kushtetutë që na sanksionon gjuhën tonë si gjuhë e bashkësisë së shifrave dhe jo si gjuhë shqipe.
Kjo është njolla dhe këlliri i tradhtisë si opozitë e shitur që nuk mund ta fshini dot kurrë.
Ndaj nuk mund të barazoheni me Vetëvendosjen e Albinit.Ju jeni llumi që lë vala e detit pas tërheqjes së saj nga bregu dhe çdo krahasim që bëni me Albin Kurtin nuk qëndron.
Ju liderucët e partiçkave tona nuk keni ideal, ideali juaj nuk është mirëqënia e kombit por, paraja dhe kockat e pushtetit që u hedhin për shërbimet që i bëni atij.
Shqiptarët e kësaj treve kanë nevojë për një Vetëvendosje dhe një Albin që nuk e kemi.
Le të shpresojmë në të ardhmen e afërt se do të krijohen kushte për një  subjekt të ri me mendim dhe veprime ndryshe nga servilët e sotëm.
Medai Shaholli
Comments