Si e parandaloi Yuri Kim bllokimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit

52

Predha tjetër e radhës e ambasadores amerikane në Tiranë Yuri Kim, pas ndalimit të të korruptuarve në listat e deputetëve, ishte edhe më e fortë se e para.

Ajo nuk i ka lënë të marrin frymë aktorët e mëdhenj politik në vend, duke deklaruar se deri tani ka pasur tentativa të forta për të ndaluar ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

“Duket sikur disa po ëndërrojnë që Byroja Kombëtare e Hetimit kurrë nuk do të ngrihet, ata shpresojnë se drejtësia nuk do të vijë kurrë. Na vjen keq që ju zgjojmë nga dremitja, por ëndrra juaj nuk do të bëhet e vërtetë. Reforma në drejtësi nuk do të jetë e lehtë, e shpejtë ose e përsosur, por është e nevojshme dhe ne duhet të ecim përpara”, shkroi Yuri Kim në twitter-in e saj zyrtar në gjuhën angleze, duke i dhënë më shumë peshë gjuhës protokollare.

Tashmë është e qartë se faktorëve politikë që ambasadorja amerikane u drejtohej janë dy, e që kanë përkatësisht në dorë mekanizmat e zbatimit të reformës në drejtësi: mazhoranca, pra qeveria dhe Ilir Meta në Presidencë.

Në tre ditë, pas qëndrimit të parë të ambasadores amerikane ka pasur disa zhvillime të rëndësishme në vend. Në fillim ishte publikimi i raportit për lidhjet e grupeve shqiptare të narkotrafikut, ku bëhej e ditur mbrojtja e tyre nga ana e kupolës politike në vend.

Pas publikimit të raportit, është aktivizuar një operacion ndërkombëtar në disa shtete të Europës dhe Amerikës Latine, ku janë arrestuar disa eksponentë të njohur të mafias më të fuqishme italiane për momentin Ndragheta-s kalabreze. E cila është edhe trafikuesja më e fuqishme e kokainës në Europë.

Në këtë operacion është arrestuar në Elbasan, një shqiptar, Bujar Sejdiu, i cili thirrej me nofkën “xhaxhai”, i cili ishte një eksponent shumë i rëndësishëm i Ndragheta-s kalabreze.

MÖBEL THEMA

“Xhaxhai”, në Elbasan ishte një person me lidhje të forta politike me zyrtarë të lartë të mazhorancës.

Taulant Balla, numri dy i PS-së, i cili është edhe drejtues politik në qarkun e Elbasanit, ku ndodhi arrestimi, ka shpërndarë dje menjëherë twitt-in e ambasadores Yuri Kim për çështjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Ndërkaq, deklarata e Yuri Kim është komentuar gjerësisht në rrjet, duke i kërkuar SHBA që të sulmojë sa më shpejt njerëzit që po e pengojnë ngritjen e BKH-së dhe zbatimin e menjëhershëm të reformës në drejtësi.

Po dje, Edi Paloka, numri dy i Partisë Demokratike ka kërkuar zyrtarisht që të rihapet gara në Byronë Kombëtare të Hetimit, pasi sipas tij, kandidatja e profiluar, Aida Hajnaj, është një zyrtare e kompromentuar.

E pas kësaj deklarate, ka ardhur dhe reagimi i fortë i ambasadores Kim, njësoj si me kundërpërgjigjen e ashpër pas zërave se Gjin Gjoni do të kandidohet për deputet në qarkun Lezhë.

E pikërisht, në dritën e këtyre qëndrimeve, vjen edhe sqarohet edhe më shumë deklarata e famshme e majit, ku ambasadorja e SHBA deklaroi se “ka një marrëveshje të fshehtë për të zhbërë reformën në drejtësi”.

Deklaratë që u bë pikërisht pas flirtit mes Ilir Metës dhe Edi Ramës. Gjithashtu, deklarata e djeshme, u bë pas vendimit të mazhorancës për ta “këshilluar presidentin” për shkeljet e tij kushtetuese.

Rastësia këtu nuk ekziston; ka dukshëm një plan të qartë të udhëhequr nga SHBA për një aksion të fortë të strukturave të reja të drejtësisë, për të arritur atë që ambasadorja Kim e deklaroi dy ditë më parë: “jo të korruptuarit në Parlament dhe qeveri”…/Pamfleti

Comments