Spitalet modulare nuk janë të siguruara nga shteti

78

Spitalet modulare në të gjithë vendin nuk janë të siguruara nga zjarri, përmbytjet apo probleme të tjera. Tragjedia në Tetovë e hapi çështjen nëse- 19 spitalet modulare në të gjithë shtetin, për të cilat u harxhuan 4 milionë euro për ndërtim dhe 600 mijë euro plus për pajisje, me para nga Banka Botërore janë të siguruara? Spitali modular brenda Klinikës Infektive në Shkup nuk është i siguruar, edhe pse është vënë në përdorim më shumë se një vit më parë. Nga klinika për Alsat thanë se në vijim është një tender. Deri më tani kjo nuk është bërë, sepse ka lidhje me llogaritë përfundimtare, dhe është dashur të presin të përfundojnë kontratat aktuale të sigurimit. Kjo ka përfshirë vetëm ndërtesën e Klinikës Infektive.

“Spitali modular i Shkupit është ndërtuar me para nga ambasada zvicerane. Fillimisht, paratë ishin të destinuara për projekt krejtësisht të ndryshëm që do të financohej nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale. Por me fillimin e pandemisë, paratë u ridestinuan dhe iu dhanë Ministrisë së Shëndetësisë për të ndërtuar këtë objekt pas meje.”

Moebel THEMA

Rreth 260 mijë franga ishte donacioni zviceran me të cilin kryeqyteti u bë me objekt modular. Përveç në Shkup, pyetëm edhe nëse objekti montazh në suazat e spitalit të Manastirit është i siguruar nga fatkeqësia eventuale e zjarrit, vërshimeve e të ngjashme. Edhe prej atje thanë se objekti nuk është i siguruar. Thonë se po bëhen përpjekje për këtë. Situatë e ngjashme është edhe në Strugë e Ohër. Edhe atje objektet modulare nuk janë të siguruara. Në Ohër u shprehën se kanë pasur një vit garanci nga realizuesi. Për repartin modular në Tetovë, ku ndërruan jetë 14 persona, nuk ka informacion nëse është siguruar. Koordinatori i qendrës për Kovid, Gëzim Nuredini, nuk iu përgjigje thirrjeve të Alsat. Në dokumentet e Byrosë së furnizimeve publike, Alsat gjeti vetëm kontratë për sigurim, megjithatë për pronën e institucionit shëndetësor të spitalit klinik, por jo edhe për pjesën tashmë të djegur të spitalit modular.

Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Punës dhe Politikës Sociale na thanë se spitalet modulare, pasi vendosen, u kalojnë institucioneve të shëndetit publik. Zbatimi i mëtejshëm i protokolleve është në përputhje me vendimet e menaxhimit të spitalit.

Bojan Stojanovski

Comments