Stacioni i trishtë te Posta e Tetovës,presin punë si skllevër të kohës moderne

75

STACIONI I PRITJES DHE DURIMIT

URIM SALIHU

Dy mendime sillen në kokat e tyre përditë.Duke menduar për familjet dhe fëmijët e tyre dhe duke shpresuar se dikush do t’I thirrë për një mëditje, në të kundërtën gjithcka bëhet akoma më keq.Këta skllevër modern që dëgjojnë simfoninë e trishtimit dhe skamjes dhe asnjë zë institucional nuk I dëgjon, as ata njerëz me kravata dhe me vetura të shtrenjta dhe me funksione.
Një copë jete e jetuar në kushte të rënda dhe në luftë me ekzistencën edhe kur dikush në mbrëmje I numëron paratë e fituara, ata që ndodhen në stacionin e trishtë te Posta e qytetit tashmë për shumë vjet me rradhë, ndoshta dikush një jetë të tërë dhe që mund të kthehen bosh në shtëpitë e tyre ku I presin kalamajtë.Kjo u ndodhë shpesh.

Nuhiu kurrë nuk I ka treguar vajzës së tij se ku prêt për një mëditje, në një vend ku dëshpërimi, ankthi jetojnë gjithë ditën me ta.” Presim të na thirrë dikush për një mëditje, por ndodhë të kthehemi më të varfër nga ç’erdhëm aty” thotë Nuhiu dhe një ndjenjë pikëllimi e zapton.Ai nuk është I vetëm në atë turmë njerëzish ku jeta po sillet bashkë me fatin aq mizorisht ndaj tyre.” Ne nuk vjedhim, ne vetëm presim të na thirrë dikush prandaj jemi kaq të anashkaluar nga institucionet, nga shteti” thotë Bakiu nga një zonë e Komunës së Zhelinës.

NJERËZ PA STACION QETËSIE

Dhjetëra punëtorë krahu nga orët e mëngjesit presin se kush do t`ju ofrojë punë për një mëditje.Këta njerëz nuk kanë më një stacion qetësie dhe fati duket ti ketë shkatërruar. Pjesa dërmuese e tyre kanë nga katër anëtarë e më shumë, të cilët presin në mbrëmje kafshatën e bukës. Mirëpo, ndonjë ditë edhe nuk gjejnë punë. “Ndodh të mos kemi punë. Unë jam prej Rogle dhe ka dy ditë që s`punoj. Nga 500 denarë fitojmë në ditë sikundër është puna. Kemi punë nëpër shpija, pastaj këtu dalim pa punë kur jemi”, thotë M.Shahini, një punëtor krahu . “Ne jemi që moti këtu, presim punë por nuk ka shumë. Një ditë punojmë dhjetë nuk punojmë, katastrofë është. Unë jam vetë i treti, punë nuk kam, ndihma sociale shumë dobët. Këtu nga mëngjesi jemi dhe numri i atyre që kërkojnë punë ndonjëherë arrijnë afërsisht 30 persona”, thotë një tjetër punëtor krahu që dëshiron të mbetet anonin. “Me ardhjen e mërgimtarëve ka ndonjë lëvizje, por ama jemi shumë në numër dhe s’ka për të gjithë”, thonë punëtorët e krahut. Më së shpeshti punohet punë fusha, por nuk mungojnë edhe punët për mirëmbajtje të shtëpive apo çarja e druve. Ata shprehen se shteti ndaj tyre është sjellë sikur njerkë dhe nuk u siguron punë si edhe tjerëve, andaj janë të detyruar që në këtë mënyrë të gjejnë punë dhe të sigurojnë një mëditje shumë të dobët. Në mesin e këtyre punëtorëve ka edhe të rinj, të cilët duke mos pasur mundësi të shkollohen, në këtë formë mbijetojnë dhe mbajnë familjet e tyre , ndërsa shprehen se edhe ata nuk e kanë lehtë të dalin publikisht dhe të flasin për hallet e tyre dhe arsyet se pse kanë zgjedhur që bukën ta kërkojnë në këtë formë. “Ne si raste sociale asnjëherë nuk jemi trajtuar nga shteti”, thonë ata. Punëtorët e krahut nuk ngurojnë të punojnë, por më vështirë e kanë kur nuk kanë asnjë ofertë dhe kthimin në mbrëmje te familja pa asnjë dinarë, e kanë shumë të vështirë. “Presin fëmijët, pret familja se çka do ju dërgojmë në mbrëmje. Ndërsa ne vështirë e nxjerrim bukën. Është krizë në vend, por edhe ne jemi pjesë e këtij shteti dhe duhet të trajtohemi njësoj si të gjithë dhe jo të lihemi si jetim”, shprehet një tjetër punëtorë. Punëtorët e krahut apelojnë që shteti seriozisht të merret me gjendjen e tyre sociale, ngase e ardhmja e tyre është e pasigurt dhe të paktën ata akoma mendojnë të punojnë këtu që mos ikin jashtë si gjithë të tjerët.

MÖBEL THEMA

TË HARRUAR NGA SHTETI

Shteti thuajse i ka harruar, disa prej tyre janë të regjistruar në Entin për punësim ndoshta që nga 1994, dhe për shumë vjet emrat e tyre ndoshta edhe nuk figurojnë më në ato lista, ose ato lista janë myshkur diku rafteve .

Së shpejti do të vijë dimri , të gjithë do të mendojnë për gjëra tjera, sit ë përgatiten për këtë stinë , të mendojnë të ngrohen diku, përvec këtyre personazhëve që presin në secilën orë në stacionin afër postës , të cilët në cdo stinë i gjen aty të mbërthyer me ankthin e pritjes dhe mjerimit .Për ta kuptimi për gjërat e bukura ka humbur që moti, vetëm mendojnë si të dërgojnë ca gjëra në shtëpi pasi të jenë kthyer në mbrëmje që shpesh ndodhë të kthehen duarthatë.
Ndodhë që pritja e tyre të jetë e ankthshme dhe në mbrëmje të kthehen në shtëpi pa bërë asgjë.

Ka shumë nga ata njerëz që nuk duan të fotografohen sepse thonë se janë familjarë dhe mbi të gjitha ata kanë një sedër që nuk i bën të përkulen . “ Disa nga ne marrin ndihma sociale, por ka disa që nuk i kanë as ato” thotë I.H. nga një fshat i Shkupit i cili vjen thuajse cdo ditë në Tetovë dhe ndodhë që brenda javës vetëm një mëditje të sigurojë.

Ata ndodhen tashmë në një udhekryq fatesh të trishta, dhe sapo një veturë të ndalet , të gjithë ata sulen drejt saj nëse ka ndonjë njeri që do t’i thirr për një punë brenda ditës. Por kjo sezonë është shumë e tmerrshme dhe ka gjithnjë e më pak punë.
Ata thonë se ndjehen shumë zemërthyer kur shkojnë në mbrëmje dhe nuk kanë cfarë t’u sigurojnë fëmijëve të tyre.
Bakiu ka tre fëmijë dhe që të tre janë në shkollë. Ata nuk janë si moshatarët e tyre që kanë kushte të mira banimi, dhe presin një dimër të rehatshëm. “ Fëmijët e mij mezi shkollohen dhe unë thuajse jam mbështetur për muri dhe nuk përballoj më këtë gjendje.Kam frikë se do t’a humbin shkollimin” thotë ky njeri dhe sikur një ankth e kaplon në atë moment.

Fëmijët e gjithë atyre punëtorëve krahu rriten me një peng,rriten me ëndrra të vrara. Ata janë larg mrekullive dhe ahengjeve, larg dëshirave. Në mëngjes përcjellin prindërit e tyre me një përqafim fëmijërorë, por kurrë ata nuk e dijnë se ku shkojnë këta të fundit dhe në cilin stacion dhimbjeje janë ndalur. Kurrë nuk e dijnë se prindërit e tyre bëjnë një jetë mizore.

Comments