Syla: Nëse Kurti do ta ndalë punën e dyfishtë të mjekëve, ai duhet t’i ndalë edhe juristët, profesorët e parlamentarët

Mirëpo, kjo deklaratë e Kurtit po shihet si diskriminuese nga kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla

136

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë para disa ditësh se me ardhjen e tij në pushtet, mjekët duhet të zgjedhin nëse do të punojnë në sektorin publik apo privat, pasi që nuk do të lejojë që mjekët të kenë punë të dyfishtë.

Mirëpo, kjo deklaratë e Kurtit po shihet si diskriminuese nga kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla.

Syla në një deklaratë të dhënë për Telegrafin, ka thënë se nëse Kurti do ta bëjë këtë atëherë ai duhet ta ndalë punën e dyfishtë edhe të profesorëve, juristëve e të gjithë atyre që mbajnë dy pozita.

“Dihet botërisht se është vendimi i Gjykatës Kushtetuese sa i përket kësaj çështje, dhe është dhënë verdikti përfundimtar sepse me këtë nën dhe këto qëndrime diskriminohet një pjesë e komunitetit. Dhe nëse Kurti vazhdon ta bëjë këtë punë  ai duhet të fillojë nga të gjithë dhe jo vetëm nga mjekët, sepse mjekët janë qytetarë të Kosovës dhe janë në mbrojtje të Kushtetutës dhe nuk veçohen nga Kushtetuta. Pra, nëse don me fillu kështu duhet të fillojë me profesorë, me juristë me të gjithë ata që punojnë punën e dyte,  pra të përcaktohen që të punojnë vetëm nga një punë”, ka pohuar ai.

Syla ka thënë se Kurti duhet të ndërhyjë edhe në parlament të Kosovës.

MÖBEL THEMA

“Po ashtu Kurti duhet të ndërhyjë edhe në parlament të Kosovës që parlamentarët tanë të marrin vetëm një pagë, dhe jo të paguhen nga komisionet ku marrin shuma marramendëse dhe askush nuk i akuzon. Deklarata është diskriminuese,  pa përmendur pasojat që mund të bëhen”, pohoi ai.

Ndër tjera, Syla tha se për të arritur të ndalët puna e dyfishtë e mjekëve duhet të bëhen një sërë ndryshimesh.

Gjithashtu ai tha se mjekët nuk i mbajnë dy puna për shkak të dëshirës.

“Asnjë mjek nuk e bënë këtë për dëshirë por duke qenë vazhdimisht të diskriminuar me pagat, për të cilat partitë politike nuk kanë folur asnjëherë e kanë shtyrë vetën e kanë sakrifikuar vetën të punojnë më shumë”, theksoi ai.

Ndryshe, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka thënë se do të bëjë ndryshime të mëdha në sektorin e shëndetësisë. Vetëvendosje pritet që së bashku me LDK-në ta formojnë Qeverinë e ardhshme të Kosovës.

Comments