Thaçi: Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave

19

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka theksuar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuar për liberalizimin e vizave.

Këto komente ai ka bërë në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Bullgarisë, Boyko Borissov.

Thaçi ka thënë se Kosova 95 kriteret e kërkuara nga ajo, i ka realizuar në tërësi.

“Tash pas kalimit të demarkacionit, kjo çështje është përmbyllur edhe pas takimit me komisionerin Han dhe Mogherinin. Unë shoh se gjërat po lëvizin në drejtim të duhur, derisa vendimi është në duart e autoritete të BE-së”, ka theksuar ai.

Sipas tij, liberalizimi i vizave për Kosovën duhet të ndodhë këtë vit. Thaçi më tutje ka folur edhe për njohjen eventuale të Kosovës si shtet nga ana e Rusisë, ku ka theksuar se kjo gjë do të ishte e mirëseardhur.

Ai më tutje ka thënë se njohja e Kosovës nga Rusia do të ishte lehtësim edhe për Serbinë, sepse sipas tij, do ta largonte nga barra mitin të cilën e mban kjo e fundit për Kosovën.

“Kosova është e interesuar edhe për këtë njohje, sepse nuk duam të kemi asnjë shtet armik”, ka shtuar Thaçi.

Ndryshe, shefi i Qeverisë bullgare po qëndron sot në Kosovë, ku pritet të zhvillojë takim edhe me kryeministrin e vendit. Aktualisht Bullgaria është shteti që po e udhëheq Presidencën e BE-së.

Comments