Thaçi: Njohja reciproke Kosovë – Serbi arrihet në SHBA, përpjekjet e tjera janë të kota

72

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të vitit të ri hebraik në Prishtinë, ku edhe ka mbajtur një fjalim.

Presidenti Thaçi ka thënë se ky është një manifestim i veçantë për arsye se tani Kosova dhe Izraeli kanë njohur njëra-tjetrën dhe do të vendosin marrëdhënie diplomatike, shkruan lajmi.net.

“Është një nder i veçantë që sonte jemi mbledhur të gjithë së bashku që këtë vit, këtë vit madhështor, kundër pandemisë të shënojmë vitin e ri hebre këtu në Prishtinë. Këtë vit, kjo festë është edhe më e madhe sepse vjen me lajmin e shumëpritur për njohjen reciproke mes shtetit të Kosovës dhe Izraelit, me këtë miqësia jonë historike, tradicionale, mes dy popujve tanë po forcohet çdo ditë e më tepër. Ndërtohet urë e fuqishme e komunikimit dhe bashkëpunimit ndër institucional dhe sferat shoqërore, bashkëpunim nga secili do të përfitojmë të gjithë. Do të përfitojë Kosova, Izraeli, Ballkani Perëndimor dhe i gjithë globi.”, tha presidenti Thaçi.

MÖBEL THEMA

Më tutje, ai është shprehur se është edhe më e rëndësishme që kjo njohja ka rrjedhur nga Shtëpia e Bardhë.

Presidenti Thaçi ka folur edhe për marrëveshjen e arritur në SHBA, duke goditur politikanët që janë shprehur dyshues ndaj marrëveshjeve atje. Ai më tutje ka thënë se SHBA-të mund të kryejnë marrëveshje politike dhe stabilizim të marrëdhënieve e njohje reciproke midis Kosovës dhe Serbisë.

Edhe më fuqishëm, ai ka thënë se përpjekjet tjera përveç atyre në SHBA janë të kota dhe humbje kohe.

“E mirëpresim vendosjen e marrëdhënieve diplomatike sa më shpejtë që të jetë e mundur. Prandaj shënojmë edhe këtë manifestim, këtë ngjarje madhështore këtu në Prishtinë në një moment të veçantë dhe historik për të dy vendet, veçanërisht kur ky vit i ri po shënohet pas arritjes së marrëveshjes së Uashingtonit, marrëveshje kjo që ka karakter ekonomik, të sigurisë por edhe të njohjes reciproke të shtetit të Kosovës dhe Izraelit, ka karakter ekonomik sepse kemi më shumë rrugë e autostrada, hekurudha bashkëkohore e vija ajrore funksionale, ka karakter të sigurisë sepse me partnerët do të jemi në luftë kundër terrorizmit dhe ekstremizmit dhe theksoj njohja reciproke ka rëndësi strategjike sepse do të forcojë rolin e Kosovës si subjektivitet i fuqishëm ndërkombëtar dhe ajo që na bën të lumtur e shumë krenar pas shumë përpjekjeve të shumta, kjo njohje erdhi përmes Uashingtonit. Do të kemi më tepër paqe dhe dikur pak kush besonte se këto përpjekje mund të përfundonin me marrëveshje paqësore. Kur ambasadori Grenell e filloi dhe u përpoq maksimalisht, ne kishim shpresën, por të tjerët kishin dyshime të mëdha. Prandaj, presidenti Trump bëri të pamundurën të ndodh e mundura, bëri atë që të tjerët për 20 vite nuk e bënë. Kështu që derisa shihet se po mund të ndodhë normalizimi ekonomik në Uashington, kam besim të plotë se edhe normalizimi ekonomik mund të ndodh edhe në Uashington, të tjerat janë të kota edhe humbje kohe.”, tha Thaçi. /Lajmi.net/

Comments