Trevjeçarja humb dhe kalon natën në fushën e misrit, e shpëton qenushi që ishte përkujdesur për të (Video)

378

Vogëlushja Remmy Elliot, e cila është vetëm 3-vjeçare, kishte humbur në fushën e misrit ku kishte kaluar natën, pasi që kërkimi për të ishte ndalur për shkak të territ.

Megjithatë, kur e gjetën pas 12 orëve, e kuptuan se me të kishte qëndruar miku i saj i ngushtë – një qenush i vogël që nuk kishte lëvizur dhe ishte përkujdesur për sigurinë e saj, transmeton Telegrafi.

Remmy ishte zhdukur në afërsi të shtëpisë së saj në Missouri, kurse nëna e saj kishte menduar se ajo kishte humbur dikur shumë afër shtëpisë.

“E kam thirr vazhdimisht, por kur e kuptova se nuk po përgjigjet fillova të frikësohem që kurrë nuk do ta gjejmë”, ka deklaruar Timber nëna e vogëlushes.

Ajo i kishte telefonuar menjëherë miqve, familjarëve dhe policisë që formuan një grup prej 100 personave që filluan kërkimet. Në misionin e kërkim-shpëtimit ishin angazhuar edhe dy helikopterë.

John Kopp, është një nga personat e parë që është angazhuar në kërkimin e vajzës 3-vjeçare, duke e përshkruar ditën si shumë emocionuese por njëherit me plotë stres.

“Kemi kërkuar në çdo cep. Por në një moment bateritë filluan të fiken dhe kështu sherifi vendosi t’i ndalim kërkimet deri në mëngjes”, ka deklaruar një mik i familjes së vajzës.

Të nesërmen në orët e para të mëngjesit janë rigrupuar për të vazhduar kërkimet.

“Kërkimi në fushën e misrit është shumë i vështirë për të mëdhenjtë, e lëre më për një fëmijë të kalojë natën”, ka shtuar miku i familjes së vogëlushes.

Daja i Remmy kishte udhëtuar nga Kentucky, për t’i ndihmuar ekipit në kërkimin e vajzës i cili në fund pati fatin ta gjej. Aty e kuptoi se qenushi i vogël kishte qëndruar gjatë gjithë kohës me të, duke u “përkujdesur për të”. Ishin pikërisht të lehurat e qenit që i ndihmuan ata t’i gjejnë.

“Ajo po flinte kur e gjetëm. Ishte shumë e lodhur, kishte trupin e nxehtë dhe mushkonjat e kishin pickuar në çdo pjesë të trupit”, ka deklaruar daja i vajzës.

Megjithatë falë qenushit të vogël që nuk e kishte lënë vetëm gjatë natës.

“Na ka thënë se nuk ishte frikësuar, pasi me të kishte qenë qenushi. Po të mos ishte qeni, nuk besoj se ajo do të flinte nga frika e madhe”, ka shtuar daja i saj. /Telegrafi/

Comments