Unioni i Bashkësive Islame Shqiptare në Zvicër uron Kurban-Bajramin

131

Urim me rastin e festës së Kurban-Bajramin

Në emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëplotit!

Të dashur vëllezër e motra,

Kam kënaqësinë që në emër të kryesisë së Unionit të Bashkësive Islame Shqiptare në Zvicër, në emër timin dhe të të gjithë besimtarëve muslimanë, t’ua uroj festën e madhe të Kurban-Bajramit.

Me kënaqësi të madhe shpirtërore e presim këtë ditë të shënuar gëzimi, që karakterizohet me sakrificën (therjen e kurbanit), qëndrimin e haxhilerëve në luginën e Arafatit, rrotullimin rreth Qabes, ecjen mes dy kodrinave në Safa dhe Merva, veprime që kërkojnë angazhim dhe përpjekje për të fituar mëshirën e Zotit, Krijuesit te Universit.

MÖBEL THEMA

Festa e Kurban-Bajramit na kujton pejgamberin e Zotit, Ibrahimin a.s., i cili konsiderohet si profeti qendrorë i feve monoteiste, por që botën nuk e shikonte nga perspektiva e forcës, imponimit dhe dominimit, porse nga ajo e zemërgjerësisë, ngrohtësisë shpirtërore, tolerancës, drejtësisë dhe dashurisë.

Motra dhe vëllezër të shtrenjtë, gëzimin e Bajramit ndajeni me më të dashurit tuaj, familjarët, miqtë dhe fqinjët, me pasardhësit shpirtëror të Ibrahimit a.s., dhe me të gjithë njerëzit. Të mos lejojmë assesi që qëllimkëqijtë të prishin besimin tonë tek njerëzit.

Festoni dhe shënoni këto ditë bajrami në mënyrë të dinjitetshme, duke mos harruar as ata që kanë nevojë për ndihmën tonë: jetimët, skamnorët dhe të sëmurët. Në therjen e kurbanëve ta ndjekim Ibrahimin a.s., duke i gostitur me to familjet, fqinjët dhe nevojtarët.

Lusim Zotin e Plotfuqishëm që t‘ju dhurojë mirësi, paqe dhe dashuri! Amin.

Urime dhe me fat festa e Kurban Bajramit!

Mehas Alija
Kryetar i UBISHZ

Comments