Vajgl: Nëse nuk respektohet marrëveshja, perspektiva euroatlantike është e paparashikueshme

48

Deutsch-ABC

Elitat politike në vend ta respektojnë Marrëveshjen e Prespës, në të kundërtën, perspektiva euroatlantike e vendit do të jetë e paparashikueshme, porosit në një intervistë për Klan Macedonia, raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Ivo Vajgëll.

Vajgëll në intervistë ka folur rreth zhvillimeve aktuale politike në vend, me theks të veçantë pas referendumit të 30 shtatorit në Maqedoni.
Ai ka komentuar thelbin e raportit të tij, i cili u mbështet nga një shumicë e gjerë е eurodeputetëve në Komisionin e Punëve të Jashtme.

“Mesazhi kryesor, është se Bashkimi Evropian, përfshirë Komisionin Evropian, Parlamentin dhe Këshillin e ministrave mbështesim Qeverinë e Maqedonisë për të proceduar me zbatimin e Marrëveshjes së Prespës. Kjo do të thotë gjithashtu, se duhen respektuar angazhimet e ndërmarra nga Qeveria për marrëveshjen e Përzhinës në rrugën e integrimit euroatlantik. Sigurisht, që ka edhe çështje të tjera lidhur me situatën në Maqedoni të përfshira në raport. Ne nënvizojmë disa pika që mbeten ende të hapura dhe që do dëshironim që të kishte më shumë përputhshmëri me legjislacionin dhe standardet evropiane që kanë të bëjnë me gjyqësorin, lirinë e medias, respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, thotë Vajgëll në intervistë.

Përveç kësaj, shton më tej ai, ne do të dëshironim që të shihnim më shumë kohezion lidhur me çështjet politike të lidhura ngushtë me të ardhmen e vendit.

MÖBEL THEMA

“Është e vështirë të kuptosh pse parti të mëdha si VMRO-DPMNE-ja nuk e mbështet Marrëveshjen e Prespës, që përbën shansin e madh të vendit për të ecur përpara. Nuk besoj, se do ketë një tjetër shans të tillë për vendin. Nëse nuk do të arrihet të respektohet marrëveshja, perspektiva evropiane dhe euroatlantike e vendit në këtë rast do të jetë e paparashikueshme. Asnjë s’mund të thotë nëse dhe kur do ketë një tjetër shans dhe nëse do ketë një të tillë”, potencon Vajgëll.

Lidhur me atë se pas arritjes së marrëveshjes për emrin e cila, siç thuhet, solli shumë optimizëm, ndërsa tani që situata është e bllokuar pas referendumit, Vajgëll thotë se përgjegjësia kryesore për këtë situatë i bie VMRO-DPMNE-së duke nënvizuar se për momentin është shumë e rëndësishme për Maqedoninë ta shfrytëzojë këtë shans që i ofrohet.

“Mendoj, se përgjegjësia kryesore për këtë situatë i bie partisë VMRO-DPMNE. Tentoj gjithnjë që të mos bëj fajtor vetëm një parti, një person, apo një program. Po,r duhet kuptuar se, kësaj radhe, VMRO nuk është thjesht një parti politike, por pjesë e historisë së Maqedonisë. Por, kjo do të thotë gjithashtu që përgjegjësia e lidershipit të VMRO-së duhet të shihet e lidhur me historinë dhe të ardhmen e vendit. Nuk duhet të bëhen thjeshtë lëvizje taktike dhe vetëm taktike, por duhet kuptuar qartë sa e rëndësishme është për Maqedoninë ta shfrytëzojë këtë shans që i ofrohet. Kush mund ta dijë se cila do do jetë qeveria e ardhshme në Greqi dhe çfarë qasjeje kjo qeveri e re e mundshme do te këtë ndaj Marrëveshjes së Prespës. Por, mund ta marrim me mend, se qeveria e re e Athinës do të jetë shumë më pak e favorshme ndaj kësaj marrëveshje, sesa kjo aktuale. Kur bëhet fjalë për një kompromis politik, nuk ka as fitues, por as të humbur. Të gjithë fitojnë diçka dhe humbin diçka. Gjithsesi, kjo marrëveshje ishte një mrekulli e zotësisë diplomatike me qëndrim të përgjegjshëm”, nënvizon raportuesi për Maqedoninë në PE.

Në pyetjen se cila është diferenca në këndvështrimin e tij për marrëveshjen e Përzhinës për të kapërcyer krizën politike në vend, Vajgëll komenton se situata e përgjithshme politike në Maqedoni është më pak e tensionuar dhe më pak konfliktuale dhe se lidhur me arritjen e objektivave politike procesi është më transparent dhe më i pranueshëm për Bashkimin Evropian, por se edhe qeveria e mëparshme ka meritën e saj.

“Nuk është se papritur, po shohim që puna po niset nga zero. Qeveria e mëparshme është përballur gjithashtu pothuajse me të njëjtat pengesa me të cilat përballet qeveria aktuale. Ishte qëndrimi i Greqisë që e bëri të pamundur ngjitjen në një shkallë tjetër të integrimit evropian. Por, kjo është një arsye më e fortë, që qeveria e mëparshme duhet të mbështesë zgjidhjen që vetë ajo u përpoq ta gjente kur ishte në pushtet. Pra, diferenca nuk është aq e madhe. Qeveria e mëparshme u përpoq gjithashtu që të përmirësonte marrëdhëniet me Bullgarinë dhe fqinjët, por nuk ia doli. Ndoshta rrethanat ishin ndryshe. Por, sërish kjo është një arsye më shumë për t’u bashkuar për të shfrytëzuar mundësinë që është hapur me marrëveshjen e Prespës”, shprehet eurodeputeti Ivo Vajgëll në intervistën ekskluzive për Klan Macedonia.

Comments