Vjosa Osmani çdo ditë e më larg LDK-së – A do të largohet vet, apo do ta shkarkojë partia?

898

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës tashmë tensionet dhe mospajtimet mes Vjosa Osmanit dhe anëtarësisë së vjetër të kësaj partie vetëm sa kanë dalë më shumë në pah kohëve të fundit.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, qysh nga dita kur partia e saj ka kërkuar mocion mosbesimi për Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, ka dalë kundër subjektit së saj.

Madje ajo edhe më shumë e ka fuqizuar kundërshtimin e saj ndaj LDK-së me dërgimin e komentit në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me dekretimin e Avdullah Hotit si kryeminsitër i ardhshëm i qeverisë së re nga ana e presidentit, Hashim Thaçi.

Të gjithë këtë veprim dhe kundërshtim publik të Osmanit për partinë e saj, analistët po e shohin në mënyra të ndryshme. Ata thonë se pas këtyre veprimeve të Osmanit ajo nuk ka më vend në LDK, por që në të njëjtën kohë thonë se Osmani nuk do të largohet nga LDK-ja.

Politologu Ramush Tahiri thotë se Lidhja Demokratike e Kosovës që nga vdekja e Ibrahim Rugovës njihet për përçarjet që ka pasur.

Sipas Tahirit, Vjosa Osmani ka pasur kundërshtime që nga rizgjedhja e Isa Mustafës në krye të partisë dhe ato kundërshtime i ka bërë publike.

“Në të kaluarën secila parti i ka pasur mospajtimet brenda vetes, tash a ka pasur më shumë apo më pak LDK-ja, por edhe LDK-ja ka pasur plot. Për shembull kemi pasur që kanë dalë deputet e kanë shkuar në parti tjetër, shembull Haki Shatri ka mbetur hala në Aleancë prej kur ka dalë qysh herët nga LDK-ja, ndërsa Tërmkolli ka dalë e u kthyer përsëri, shumë të tjerë që mos t’i përmendim me emra sepse janë raste individuale dhe në momentin e caktuar interesat e tyre nuk përputhen me interesat e partisë. Për shembull Edita Tahiri ka qenë themeluese dhe ka dalë e nuk është kthyer më dhe ka themeluar partinë e saj, ka kryer punë të tjera të shtetit, por jo me përkrahjen e LDK-së. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me Vjosa Osmanin, do me thënë mos me përmend Nexhat Dacin, për shembull për një moment kur nuk e kanë pasur përkrahjen e partisë, pa marrë parasysh se a ka qenë nxitje e jashtme apo e brendshme, thjeshtë është dalë prej partisë ka themeluar fraksion, ka themelua parti të re, ka pasur sukses një ose dy mandate edhe është shuar ajo parti dhe Lidhja Demokratike e Kosovës do me thënë kurrë nuk e ka marrë veten, kurrë ma nuk ka dalë partia e parë prej vitit 2006-2007, kur është prishur, pas vdekjes së Ibrahim Rugovës. Tash Vjosa Osmani është një kuadër i ri do me thënë është kuadër i Fatmir Sejdiut në kuptim që gjatë periudhës së tij është ardhur ose është forcuar në parti pas shkollimit të jashtëm dhe duket me zgjedhjen e Isa Mustafës kurrë nuk e ka gjetë veten pa marrë parasysh a ka pasur të drejtë apo jo, nuk po hy në ato sepse ato i vërteton historia dhe e vërteton koha cili opsion ka pasur të drejtë”, ka thënë Tahiri për lajmi.net.

Ai thotë se është e qartë që Vjosa Osmani më shumë favorizon Lëvizjen Vetëvendosje se sa partinë e saj, LDK-në dhe sipas Tahirit, Osmani është zgjedhur në krye të Kuvendit falë propozimit të LVV-së, pavarësisht se ky post i takon dhe i ka takuar gjithmonë partisë fituese.

“Tash është fakt që Vjosa Osmani ka shprehur mospajtim me partinë e saj dhe është fakt që Vjosa Osmani po del kundër partisë së saj edhe më këtë si kryetare e Kuvendit me arsyetimin që ia ka dërguar Gjykatës Kushtetuese që të vendoset a është e drejtë a jo, por edhe në deklarimet publike por edhe në veprim. Si e tillë nuk mundet të qëndrojë, do me thënë asnjë njeri, jo vetëm Vjosa Osmani, nuk mund të qëndrojë në parti dhe në momentin që bien ndesh me partinë zakonisht jepet dorëheqje nga partia, largohet, qëndron deputet i pavarur siç kemi pasur raste, ose i bashkohet një grupacionit për të cilin konsideron që është më i afërt e në këtë rast ai grupacion më i afërt me Vjosa Osmanin është Vetëvendosja. Faktikisht Vjosa Osmani është kryetare e Kuvendit të Kosovës me propozim të Vetëvendosjes, pasi që ky post, pra kryetari i Kuvendit i takon gjithmonë partisë fituese dhe nuk mundet tjetër kush me e marrë. Isa Mustafa në intervistën e mbrëmshme tregoi, paralajmëroi sepse nuk është kërcënim, se partia funksionon me statut, rregullore e platformë politike dhe çdo kush që nuk pajtohet do t’i ketë pasojat, të mira apo të këqija. Për shembull në qoftë se del në Vetëvendosje mbase edh ka më të mira pasojat-benefitet se sa me qëndrua në LDK. Ne këtë nuk e dimë. E ardhmja politike e saj shihet se nuk është në LDK, shihet se nuk dëshiron që të bëj fraksion, shihet që në këtë moment nuk dëshiron edhe të dalë prej LDK-së sepse konsideron se i bën më shumë dëm LDK-së dhe i bën më shumë dobi opsioneve të veta kundër LDK-së në këtë rast sepse shumica e LDK-së është për këto opsione tjera”, u shpreh Tahiri.

Sipas Tahirit e tëra çfarë mund të ndodhë është që të propozohet degët dhe nëndegët që të mos jetë pjesë e LDK-së apo siç është duke ndodhur deri më tani që duke e mos ftuar në mbledhje të kryesisë së partisë.

Tahiri ka bërë të ditur për lajmi.net, se tash pritet që edhe Grupi Parlamentar i LDK-së të distancohet nga Vjosa Osmani.

“Çka mundet me pasua, mund të ketë propozim nga degët e nëndegët që ta largojnë ose mund të ketë distancim publik ose thjeshtë organet me vendos që mos me thirr ose në Kryesi qysh nuk po e thërrasin ose në Këshill Kombëtar. Sepse një person, tash në këtë rast kur bije ndesh me interesin e partisë ose të udhëheqjes së partisë ose të institucioneve ai vetvetiu është i larguar dhe puna e tij në institucione më nuk është në dobi të këtij opsioni të partisë, por faktikisht në dëm. Edhe Isa Mustafa edhe më herët ka thënë se partia nuk është ajo që i dënon të rrebeluarit, por nuk është edhe që i përkrah. Çka pritet në ditët e ardhshme pritet që të ketë distancim të plotë të Grupit Parlamentar nga Vjosa Osmani si kryetare e Kuvendit, gjithashtu pritet që LDK-ja të dalë me deklarime se Vjosa Osmani nuk është pjesë e LDK-së, nuk thonë që po e përjashtojnë prej partisë por nuk është më në harmoni me synimet edhe interesat e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të vazhdojnë të mos e thërrasin në forume të partisë sepse dallimet tashmë janë të mëdha dhe janë publike me letrën drejtuar Gjykatës Kushtetuese sepse ajo është kundër mandatit qeverisës së partisë së vet nga partia prej nga vjen edhe nga e cila ka qenë kandidate për kryeministre në zgjedhjet e kaluara”, theksoi Tahiri.

Për analistin Imer Mushkolaj, dorëheqja apo largimi i Vjosa Osmanit nga LDK-ja nuk do të ishte e mundur në këtë kohë.

Mushkolaj në një prononcim për lajmi.net, ka thënë se nuk beson që LDK-ja do t a largojë Vjosa Osmanin, pasi që sipas tij, Osmani gëzon përkrahje të madhe dhe se falë Osmanit LDK-ja ka dalë e dyta në zgjedhjet.

“Tash për tash nuk e shoh të mundur asnjërin prej këtyre skenarëve për shkak se secili veprim që do të ndërmerrej nga secila palë në këtë rast do të mund të konsiderohej jo i duhur. LDK-ja nuk besoj se do ta largojë, duke pasur parasysh se me këtë veprim do të humbte shumë. Të mos harrojmë se Vjosa gëzon një përkrahje të madhe në elektoratin e LDK-së edhe zgjedhjet e 6 tetorit e kanë treguar më së miri këtë, pavarësisht se LDK-ja po përpiqet me amortizua fuqinë e saj megjithatë njerëzit që kanë votuar për LDK-në unë besoj që në masë të madhe kanë votuar se Vjosa ishte kandidate për kryeministre në anën tjetër pse kishte premtuar se do të bënte koalicion me Kurtin, respektivisht Vetëvendosjen”, theksoi Mushkolaj.

Mushkolaj po ashtu ka bërë të ditur për lajmi.net, se LDK-ja e ka edhe në statutin e saj që mund të largojë të gjithë ata që nuk e ndjekin vijën e partisë.

Pavarësisht këtij statuti, Mushkolaj beson që edhe vetë Osmani nuk do të ndërmarrë ndonjë hap që të largohet nga LDK-ja dhe se qëllimi i saj është që të forcohet edhe më shumë brenda partisë.

Duke i parë të gjitha këto zhvillime të fundit, Mushkolaj thotë se Osmani tashmë është një person ‘non grata’ brenda LDK-së dhe se nuk e di se çfarë dhe si të veprojë në tërë këtë situatë.

“Në statutin e LDK-së ekziston një nen i cili parasheh largimin, përjashtimin nga partia të gjithë atyre të cilët nuk e ndjekin vijën e partisë, por mendoj që ndërmarrja e këtij veprimi tash do të ishe kundërproduktiv për LDK-në. Në anën tjetër, kam përshtypjen se Vjosa po ashtu nuk do të ndërmarrë ndonjë hap për të dalë nga LDK-ja. Qëllimi i saj është që të forcohet edhe më shumë brenda LDK-së dhe pse jo të përpiqet që njëfarë forme ta marrë lidershipin. Unë këtë situatë ose qëllim të saj nëse e ka si qëllim, por besoj se kështu është, nuk e shoh lehtë të realizueshëm duke e pas parasysh se tash në këtë kohë LDK-ja nuk është se udhëheq nga gjenerata e vjetër por nga një gjeneratë e mesme e politikanëve. Edhe ideja që do të mund të arrijë që të them figurativisht të marrë kalanë nga brenda, tash për tash është utopike. Po ashtu nuk besoj se ajo do të largohet e do t’i bashkohet Vetëvendosjes po që se e lejon statuti i LDK-së si një parti demokratike, si një parti që veten e quan institucionaliste, do të ishte për mua e logjikshme që ajo ta krijojë një fraksion brenda LDK-së, do me thënë të qëndrojë brenda LDK-së por ta krijojë një fraksion të cilin e udhëheq ajo me mbështetësit që i ka brenda partisë duke provuar që në këtë mënyrë ta shpreh edhe kundërshtimin ndaj partisë në rastet kur kjo është e nevojshme, por duke qëndruar brenda LDK-së. Kjo sa e di unë, por nuk jam i sigurt tash bazuar në statut nuk lejohet edhe një njëfarë forme sikur ia ka mbyllur të them kushtimisht zonjës Osmani për të ndërmarrë hapa të cilët do të çonin drejt kësaj dhe në anën tjetër nuk e besoj siç e thash, që do t’i bashkohet Lëvizjes Vetëvendosje pavarësisht se të paktën vlerësimin që mund ta kemi individual për qasjen, respektivisht mendimin që e kanë votuesit, mbështetësit e saj. Tashmë të gjithë e shohin, por edhe kreu i LDK-së e thotë se ajo nuk ka më vend në LDK, në njëfarë forme ajo është person non grata në LDK pavarësisht se besoj se gjendet në një pozitë të vështirë edhe nuk din si të veprojë”, theksoi Mushkolaj për lajmi.net.

Edhe analisti Shkodran Ramadani, thotë se nuk beson që Osmani do të shkarkohet nga partia e saj, por që sipas tij, tensionet dhe dallimet brenda partisë janë rikthyer përsëri.

“Nuk besoj që e shkarkojnë, mirëpo gjërat veçse janë duke u përkeqësuar dhe kjo ka nisur që kur LDK-ja mori të dalë nga koalicioni për shkak se Vetëvendosje e shkeli marrëveshjen për bashkëqeverisje dhe Osmani nuk është pajtuar me diçka të tillë. Që nga ajo kohë, dallimet kanë ardhur duke u theksuar dhe janë shfaqur tensione mes tyre dhe tash duket që ka mbërritur në një pikë më të lartë se që edhe ata vetë e kanë pritur sepse sapo u duk që tensionet mund të pushojnë në njëfarë mënyrë, të mos përshkallëzohen deri në përçarje, duket se prapë janë riaktivizua. Dhe tash për shembull nëse LDK-ja vendos me e shkarkua Vjosa Osmanin, atëherë më nuk besoj që i mbetet vend në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Por që një kohë të gjatë Vjosa Osmani ka qenë më e afërt me Vetëvendosjen se sa me partinë e saj dhe kjo ka shkaktuar pakënaqësi dhe kjo është vërejtur edhe në komentet që Vjosa Osmani i ka dërguar pranë Gjykatës Kushtetuese duke mbajtur anën edhe qëndrimin e kryeministrit të shkarkuar, Albin Kurti e jo të partisë së cilës ajo i përket. Mos të harrojmë që në ditën kur është shkarkuar qeveria, Vjosa Osmani ka thënë që do ta shfrytëzojë një derë sapo ti hapet. Ndoshta ajo derë mund të jetë dalja nga partia nëse nuk ka vendosur që ta merr kështjellën nga brenda edhe t’ia vejë vetes cak postin e kryetares së partisë. Unë nuk besoj që LDK-ja do ta shkarkojë Vjosa Osmanin,por mbetet të shihet se si do të zhvillohen gjërat”, theksoi Ramadani.

I pyetur nga lajmi.net, se duke e parë gjithë afërsinë e Osmanit me Kurtin, a ka gjasa që ajo t’i bashkohet Lëvizjes Vetëvendosje, Ramadani ka thënë se një gjë e tillë ndodhta edhe mund të ndodhë por siç theksoi Ramadani, gabimi më i madh i Osmanit ka qenë kur e ka përkrahur Kurtin qysh nga fitorja e tij dhe nuk e ka parë si kundërshtar, por si fitues.

“Po tash pasi që ka zëra që edhe Glauk Konjufca nuk i ka punët mirë me Albin Kurtin, ndoshta Vetëvendosje mund ta parasheh Vjosën si një transfer për zëvendësimin e Konjufcës që ta kemi tjetër numër dysh në parti sepse Albin Kurti është i pakontestuar brenda partisë së tij dhe Vjosa Osmani ka qenë një nga ndjekëset aktive të Kurtit sepse ajo është ndjerë si numri dy tërë kohën edhe nuk e ka parë veten asnjë herë si fituese përballë Albin Kurtit. Ky ka qenë gabimi më i madh i Vjosa Osmanit sepse pas zgjedhjeve të 6 tetorit në vend se ajo ta lexonte si humbje rezultatin ajo e lexoi si fitore dhe e pranojë në njëfarë mënyre dhe disfatën e shndërrojë në fitore dhe LDK-në në njëfarë mënyre e shndërrojë në fraksion të Vetëvendosjes. Dhe kjo e ka dëmtuar edhe Vjosa Osmanin edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës sepse nëse para zgjedhjeve të 6 tetorit Albin Kurti ka pasur një rival potencial tashmë nuk e ka asnjë të tillë”, u shpreh Ramadani.

Theksojmë, se komentet e dërguara nga Osmani në Kushtetuese kundër LDK-së, nuk paraqesin përplasjet e para të saja me partinë ku ajo është nënkryetare.

Më herët ajo kishte pasur probleme e polemika të ashpra me nënkryetarin e partisë, Lutfi Hazirin, e së fundmi edhe me Agim Veliun. /Lajmi.net/

Comments