Zbulohet gjithçka: Si deshën rusët t’i vrasin Zaevin e Selën

1,551

“Të vritet Zoran Zaev dhe Zijadin Sela”, ishte mesazhi i oficerëve rusë për grupet e ekstremit të djathtë në Maqedoninë e Veriut për datën 27 prill të vitit 2017.

“Dihet edhe emri i oficerit rus të inteligjencës, që po e udhëhiqte operacionin me ndihmën e serbit Goran Zivalevic, gjithashtu oficer i inteligjencës serbe në Shkup. Inicialet e tij janë V.F., i cili po shërbente në një shtet fqinj të Maqedonisë së Veriut.

Koordinimi ishte bërë pak ditë më parë, së pari në një vend bregdetar në Bullgari, ku gjenden vilat e oficerëve të shërbimit të inteligjencës ruse të ushtrisë̈ (e njohur si GRU). Plani është detajizuar në Beograd një ditë më vonë në një shtëpi private”, ka thënë për këtë në kushte anonimiteti një ish-zyrtar i shërbimit të brendshëm të maqedonasve.
Megjithëse protestat proruse në Shkup kishte ditë që kishin filluar, më 27 prill huliganët hynë në ndërtesën e parlamentit maqedonas, duke sulmuar viktimat e tyre. Natyrshëm në këtë plan ishin të përfshirë edhe deputetë të VMRO-DPMNE të Nikolla Gruevskit, i cili tashmë është arratisur në Hungari.

“V.F. ka shërbyer për një kohë të gjatë në Shkup, dhe gjatë kësaj kohe ia ka dalur që ta rekrutojë serbin Zivalevic. Madje, ditën kritike, kur është sulmuar Zaev dhe Sela, ai e ka kontaktuar me telefon Zivalevicin dhe e ka kërcënuar se nëse këta dy shpëtojnë të gjallë, do jepte llogari dhe do t’ia zbulonte të gjitha letrat”, ka thënë ky zyrtar.

“Ndërkohë Goran Zivalevici personalisht ka shkuar në vendin e ngjarjes, gjë që u bë skandal i njohur. Madje, ai e kishte bërë një selfi për t’ia dëshmuar ‘shefit të tij rus’ se gjendet në parlament”.

Se Serbia ka qenë e përfshirë në këtë skandal, ka qenë e ditur. Mu për këtë, ndërkohë ishte tërhequr i tërë personeli serb nga Ambasada e Serbisë në Shkup derisa e njëjta gati u bë problem shumë i madh diplomatik në mes të Beogradit dhe Shkupit. Përfundimisht, shtetet kishin arritur marrëveshjen që t’i tërhiqnin oficerët e inteligjencës nga ambasadat e tyre.

Comments