‘Zhurma’ për lejimin e dasmave dhe ahengjeve tjera, këta artistë e lëshuan ‘bajrakun’ para vendimit

182

Artistët më nuk presin përfundimin e pandemisë.

MÖBEL THEMA

Për shkak të pandemisë COVID-19, këngëtarët muajt e fundit nuk kanë mundur të mbajnë mbrëmjet muzikore që kishin planifikuar, shkruan lajmi.net.

Ani pse rastet e të infektuarve me COVID-19 ditët e fundit kanë qenë të lartë, artistët kanë vendosur t’i rikthehen mbrëmjeve muzikore.

Por, pothuajse asnjë prej tyre nuk ka sjellë pamje nga ato performanca për të treguar nëse kishte interesim të publikut për të qenë të pranishëm aty ku kënduan.

Ditë më parë, në Prishtinë një grup artistësh dhe pronarët e restoranteve kanë protestuar para objektit të Qeverisë, për të kërkuar lejimin e organizimit të dasmave dhe ahengjeve të tjera.

Kryeministri Avdullah Hoti gjatë ditës së sotme njoftoi se ende nuk është lejuar organizimi i dasmave dhe ahengjeve të tjera.

Në anën tjetër, Visar Demolli nga Shoqata e Hotelierisë dhe Turizmit, në një prononcim për lajmi.net ka thënë se dasmat janë lejuar, por më 26 qershor do të publikohet vendimi.

Megjithëse këto organizime ende nuk po rekomandohen, këngëtarëve po u humbet durimi, andaj disa prej tyre kanë konfirmuar fillimin e mbrëmjeve muzikore, ani pse shumë prej tyre nuk mbahen në Kosovë.

I pari që konfirmoi se po pranon data për koncerte është Meda, ai më 6 qershor kishte bërë të ditur se do të performojë në një klub në Zvicër. Ndërsa, ka paralajmëruar edhe dy performanca për 26 e 27 qershor, që të dyja në klube të mërgimtarëve në Zvicër.

Robert Berisha është ndër të parët artistë që ia bënë ‘sefte’ performancave pas pandemisë. Ai më 13 qershor ka kënduar për turistët në Ulqin. Madje, nga performanca e tij në Ulqin kanë qarkulluar edhe disa video, ku shihet se kishte goxha të pranishëm në atë vend.

Këngëtari Asim Gashi, ditë më parë, me anë të një postimi në Facebook, njoftoi se më 13 qershor performon në një lokal në Ferizaj.

Ndër të tjera, ai kishte shkruar “Uroj ti kthehemi normalitetit. Mire se vini”.

Një tjetër këngëtar që ka njoftuar fillimin e mbrëmjeve muzikore është Besart Halimi, ai në një postim ka shkruar “Hajde per hajr kofte. Pe nisim sezonen me nje super jave. Cdo nate muzike live, dj, animacione”.

Babo Darabuka po ashtu kanë njoftuar se më 20 qershor performojnë në një klub.

Edhe në Shqipëri ka artistë që kanë dhënë sinjalet e para për fillimin e mbrëmjeve muzikore.

Reperi Stresi me anë të një postimi, bëri të ditur se do të performojë në Greqi më 20 qershor bashkë me Flor Bana dhe DJ Olsi.

Në të njëjtin klub sikurse Stresi, është paralajmëruar të këndojë 2Ton, por nuk është dhënë data. I njëjti artist, për datën 20 qershor ka njoftuar se do të këndojë në Zvicër.

Në Zvicër ka paralajmëruar performancë edhe Noizy, ai bëri të ditur se më 27 qershor këndon për mërgimtarët atje.

Në anën tjetër, Sinan Vllasaliu dhe Tayna ditë më parë kishin njoftuar se do të këndojnë në një ndejë private në Prishtinë.

Po ashtu, Tayna njoftoi se bashkë me Ledri Vulën më 4 korrik do të këndojnë në Gjermani. Madje, reperja e pret me padurim fillimin e koncerteve.

Sa i përket dasmave, i vetmi këngëtar që përmes rrjeteve sociale u bë e ditur se këndoi në një prej tyre është Afrim Muçiqi.

Ky i fundit ka qenë pjesë e protestës që u organizua para pak ditësh në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, për të kërkuar lejimin e këtyre organizimeve.

Se a do të vazhdojnë artistët mbrëmjet muzikore brenda dhe jashtë trojeve shqiptare, apo do të presin derisa të vihet situata në kontroll, mbetet të shihet ditëve në vijim. /Lajmi.net/

Comments