Tahiri mesazh deputetëve: Mirëpres çdo vendim, rruga ime nuk ndalet këtu
Me një deklaratë shumë të shkurtër, u është drejtuar sot ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri deputetëve të parlamentit, përpara votimit ku do të vendoset për fatin e tij.
Në nisje të seancës parlamentare, pasi kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi i dha fjalën, deputeti Saimir Tahiri u shpreh se mirëpret çdo vendim të deputetëve të Kuvendit.
“Mirëpres çdo vendim tuajin. Rruga ime për të gjetur drejtësinë nuk ndalet dot”, tha ai.
“Këtu janë betuar shumë për pafajësi, kështu që unë do ua kursej çdo fjalë timen lidhur me këtë. Jam shumë i bindur se askush nga ju nuk ka kohë për të humbur, unë aq më pak. E mbi të gjitha unë nuk pres ta gjej të drejtën dhe të vërtetën time këtu në Sallën e Parlamentit, por aty ku më takon, para drejtësinë dhe të gjithë qytetarëve. Kështu që e mirëpres çdo vendim tuajin, cilido qoftë ai, rruga për të gjetur drejtësinë nuk ndalet dot”, tha Tahiri.
Ndërkohë që Tahiri fliste deputetët e PD mbanin në duar pankarta “Qeveria e drogës qeveria e krimit”.