18 vjet me Policinë e Kosovës

265

Policia e Kosovës sot shënon përvjetorin e 18-të themelimit të saj.

Ky përvjetor u përcoll me një ceremoni solemne të mbajtur në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë në Prishtinë, transmeton Klan Kosova.

Pjesë e këtij eventi ishin përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare të sigurisë, përfaqësues nga ICITAP-i, OSBE-ja, zyrtarë të Policisë e të pranishëm të tjerë.

Lidhur me të arriturat dhe rezultatet e Policisë së Kosovës dhe sfidat e përgjithshme që ka pasur ky institucion gjatë këtyre 18 viteve të zhvillimit të saj dhe profesionalizimit, nga një fjalë rasti mbajtën drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës z. Shpend Maxhuni si dhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme z. Skender Hyseni.

Me rastin e shënimit të këtij përvjetori për pjesëtarët e Policisë së Kosovës të cilët janë dalluar me meritat e tyre në kryerjen e detyrës janë ndarë: 6 medalje për shpëtim jete, 1 medalje për shërbim të dalluar, 15 medalje policore për lëvdim, 24 lëvdata dhe 8 mirënjohje. Po ashtu gjatë ceremonisë janë graduar edhe 17 (shtatëmbëdhjetë) zyrtarë nga grada Major në gradën Nënkolonel.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në përmbushjen e vizionit dhe misionit të saj, në zbatimin e ligjit dhe Kushtetutës së vendit, garantimin e rendit dhe sigurisë, në mënyrë që të ofrojë një shërbim efikas policor dhe profesional ndaj të gjithë qytetarëve, transmeton Klan Kosova.

Comments