19 vjetori i lirimit nga Haga, Limaj: Ishte fitorja e parë e kauzës kombëtare, dëshmi e pastërtisë së luftës
Kreu i NISMA-s, Fatmir Limaj, ka kujtuar sot lirimin e tij nga Gjykata e Hagës para 19 vitesh. Në një video të publikuar në profilin e tij, Limaj ka rikthyer momentin kur atij i është kumtuar nga Gjykata Hagës se lirohet nga të gjitha pikat e aktakuzës.
“Sot bëhen 19 vite nga lirimi im nga Haga, nga ai proces përmes të cilit bota e mbarë e kuptoi historinë e tërë të popullit të Kosovës, që ishte ngritur në këmbë për t’i dhënë krah luftës sonë të drejtë për liri e çlirim, kundër një okupatori e agresori historikisht shtypës e famkeq, siç ishte Serbia”, ka shkruar Limaj.
Ai ka thënë se më e madhe se pesha e lirimit, ishte fitorja e parë e kauzës kombëtare para syve të botës, përmes drejtësisë kombëtare.
“Më e madhe së sa pesha e lirimit tim, ishte fitorja e parë e kauzës sonë kombëtare para syve të botës, përmes drejtësisë ndërkombëtare.
Ndjehem krenar qe ky proces perveç se ka mbetur fitorja e parë e drejtësisë, është aktgjykim i cili po mbetet bazament në dëshminë e pastërtisë së luftës së drejtë në çdo betejë, andaj pres sa më parë kthimin e bashkëluftëtarëve tanë nga Hagë, dhe shënimin përfundimtar të fitores së luftës së drejtë të UÇK’së për çlirim e liri”, ka përfunduar Limaj./Express/