20-25 drejtorë do të preken nga “fshesa” e Zaevit (VIDEO)

572

Të martën Qeveria nis ndryshimet në eshalonin e tretë. Siç kishte paralajmëruar kryeministri Zoran Zaev, 20 deri 25 drejtorë do të përfshihen nga fshesa, duke përfshi edhe organet me të cilët udhëheqin kuadro të partnerëve të koalicionit. Alsat jo zyrtarisht mëson se drejtori aktual i TEC Manastir, Vasko Kovaçevski do të emërohet drejtor në ELEM, ndërsa me MEPSO-n do të udhëheq kuadër i BDI-së. I kontaktuar nga Alsat, Kovaçevski nuk komentoi informacionet, duke theksuar se ky proces është në duar të kryeministrit Zaev, ndërsa Qeveria me vendim jep fjalën e fundit. Burime nga LSDM bëjnë të ditur se partia më e madhe në pushtet synon marrjen e ndërmarrjeve publike “Rrugët e Maqedonisë” me të cilën aktualisht udhëheq Gajur Kadriu i BDI-së si dhe “Hekurudhat e Maqedonisë-Infrastruktura”, drejtor i përgjithshëm i së cilës është Irfan Asani kuadër i BDI-së. Derisa pritet që Zaev në seancën e radhës në Qeveri t’i shpalos propozimet e para, BDI akoma është duke analizuar. Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani thotë se në partinë e tij është duke u zhvilluar procesi i reformave të thella.

Po i bëjmë analizat e punës ndaj secilit prej drejtorëve dhe BDI do t’i hy një procesi të thellë të reformimit me qëllim krijimit të hapësirave që gjeneratat e reja të inkuadrohen në vendimmarrje dhe qeverisje. Ky proces ende nuk ka përfunduar. Jemi duke debatuar brenda në parti dhe me partnerin e koalicionit për t’i plotësuar këto vende. Për momentin nuk ka diçka konkrete- deklaroi Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Jo zyrtarisht mësohet se BDI-së i është kërkuar të heq dorë nga Byroja e Furnizimeve Publike me të cilën udhëheq Bardhyl Nasufi, Agjencia për Investime të Huaja ku drejtor është Vullnet Ademi dhe nga Qendra e Shërbimeve në Klinika me të cilën udhëheq Shkodrane Dardhishta. Në këmbim mësohet se BDI-së i është ofruar Agjencia për Inovacione Teknologjike, Inspektorati i Tregut dhe Drejtoria për Çështje Pronësore-Juridike. Në suaza të ndryshimeve nga eshaloni i tretë, ndonëse ishte paralajmëruar, partnerët e koalicionit nuk ndajnë detaje nëse është biseduar edhe për ndryshime nga radhët e zëvendësministrave ose jo.

Comments