Njëzetë vite më parë në një atentat të inskenuar nga regjimi i Sllobodan Milloshevicit në Gjykatën Komunale në Pejë u vra njëri nga juristët më të shquar kosovarë, Qazim Tolaj.
Vrasja e Tolajt më 28 janar 1997 kishte bërë një bujë të madhe duke alarmuar se tashmë regjimi i asaj kohe nuk kishte kufi në persekutimin e shumicës shqiptare në Kosovë, madje duke ua vrarë edhe avokatët mbrojtës.
Para se Qazim Tolaj të ktheje në profesionin e avokatisë, ku kishte punuar në mbrojtjen e rasteve më të ndjeshme të përndjekjes së shqiptarëve nga regjimi serb, Tolaj ishte ngritur deri në nivelet më të larta karrierës si gjykatës.
Në portretizimet për të e kanë quajtur edhe “Sinonim i drejtësisë pedante”, për faktin që punën prej gjykatësi, e më vonë edhe prej avokati e kishte bërë me përpikëri dhe etikë të lartë.
Sot, 20 vjet pas vrasjes së tij, njerëzit e tij të afërt, por edhe ata që u mbrojtën prej tij si avokat e kujtojnë si në njeri të veçantë dhe që vrasja e tij nuk ishte humbje vetëm për familjen, por për vetë sistemin e drejtësisë.