Konsumi ditor u shndërrua në shqetësim serioz për familjen Gjinovci. Fatura e ujit brenda muajit, arriti në 2569 euro e borxhi total në 3146 euro.
Në këtë shtëpi në qendër të Prishtinës deri para pak muajsh jetonte nëna e saj me motrën të cilat tanimë kanë ndërruar jetë.
Diana Gjinovci, në një intervistë për Kiks Kosovën rrëfen problemin e familjes së saj që u doli me ujësjellësinë.
Sipas saj, fatura e ujit për muajin shkurt të 2024-ës iu ka ardhur 2569 euro, shpenzim ky që thotë të jetë jashtë normales dhe i palogjikshëm.
Sipas Gjinovcit, fjalët e inkasantit që kontrollon atë zonë të kryeqytetit, kanë rënduar motrën e saj të ndjerë dhe edhe vetë atë.
Në shtëpinë e saj, Diana Gjinovci thotë që nuk ka jetuar askush përpos nëna dhe motra, e kjo e dyta ka qenë tërë kohën në punë.
Diana Gjinovci, nuk pranon që në shtëpinë e nënës së saj ka pasur rrjedhje.
Ndonëse sipas vendimit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, më 17 tetor 2024 , thuhet ndër të tjera që në bazë të analizës, dyshohet për shpenzime të larta brenda hapësirës banuese ose rrjedhje e ujit e cila është e nëndheshme.
Sipas vendimit të Autoritetit Rregullator të Shërbimeve të Ujit, të datës 27 maj 2025, ishte aprovuar pjesërisht ankesa e familjes Gjinovci dhe u largua borxhi prej 547 euro.
Mirëpo shuma prej 2 mijë e 569 euro, sipas Diana Gjinovcit nuk është prekur fare dhe vazhdon të figurojë si borxh i papaguar.
Gjinovci shpreh pakënaqësi në raport me inkasantin e zonës, Enver Cakollin.
Sipas saj, ajo e ka të vështirë të paguaj këtë borxh ngase është shumë e lartë dhe e papërballueshme për të.
Prishtinasja tutje shton që sipas saj, ujësjellësi duhet të marrë masa ndaj inkasantit ngase sjelljet e tij qenë të patolerueshme.
Sipas Diana Gjinovcit, në shtëpinë që tanimë nuk jeton askush, rrallëherë vjen vetëm mirëmbajtësja dhe as ajo nuk ka se si të harxhoj ujë aq shumë.
Gjinovci shton që nuk do të ndalet me kaq, por do të jetë në kërkim të një zgjidhje edhe nëse i duhet të shkoj në institucionet e drejtësisë.

