3 vjet pas aksidentit, Schumacher në ‘luftë’ për garën e jetës

Ishte 29 dhjetori i vitit 2013 data e cila do të trondiste botën e Formula Uno-s pasi legjenda Michael Schumacher pësoi një aksident këtë herë jo me makinë por me ski në alpet e Francës.
Nesër kalojnë plot 3 vite nga aksidenti i tmerrshëm i pilotit legjendar ku shumë sportdashës dhe tifozë janë ende në pritje dhe në ankth për përmirësimin e shëndetit të idhullit të tyre, shkruan Syri.net.
Pas shumë vitesh dominimi, tashmë 7 herë kampioni i botës është në ‘luftë’ për garën më të rëndësishme, atë të jetës.
“Black out” informacioni për shëndetin e Schumacher, i cili pasi goditi kokën e tij në shkëmb dhe kaloj shumë operacione, pastaj vazhdoi procesin e rehabilitimit në shtëpi.
Pretendohet se për trajtimin mjekësor të pilotit gjerman punojnë shumë njerëz në ekipin shëndetësor në klinikën e formuar në shtëpinë e tij dhe se gjatë 3 viteve është harxhuar rreth 24 milionë euro.
Në qershor 2014 ishte deklaruar se piloti legjendar ka dalë nga koma dhe është transferuar nga spitali Grenoble, ku është vendosur që procesi i rehabilitimit të vazhdojë në spitalin e universitetit Lozan.
Schumcher më pas ishte dërguar në shtëpinë e tij në Zvicër më 9 shtator 2014 për trajtimin e tij të mëtejshëm dhe deri në ditën e sotme nuk ka asnjë foto apo informacion të plotë për gjendjen e tij shëndetësore.
Michael Schumacher karrierën e tij në Formula 1 e filloi në vitin 1991, me ekipin Benetton u bë kampionë dy herë me radhë në vitet 1994 dhe 1995. Piloti gjerman i cili me ekipin e Ferrari-t 5 herë ishte në vendin e parë gjatë viteve 2000-2004, pas sezonit të 2006 njoftoi lamtumirën e tij. Schumacher pas 4 viteve vendosi të garojë me Mercedes, por ishte larg nga performanca e tij të mëhershëm. Piloti me përvojë i cili ka karrierë me rekorde, në fund të sezonit të 2012 për herë të dytë njoftoi se i tha lamtumirë pistave./ SYRI.NET

