
Skënderbeu ka bërë një ecuri të mrekullueshme vitet e fundit, pavarësisht problematikave të shumta që e kanë shoqëruar këtë skuadër. Korçarët kanë dominuar futbollin vendas, ndërsa në Europë arritën të futeshin deri në grupet e Europa League dy vjet më parë dhe ta përsërisin atë mbrëmë. Skënderbeu është i vetmi ekip shqiptar që kalon 4 ture radhazi në Europë.
Kishte kohë që ekipet shqiptare nuk linin gjurmë në Europë, që nga koha e Flamurtarit të Vlorës, që në vitin 1987 kalonte dy ture, por me kundërshtarë vërtet të fortë për kohën. Dhe ironia e fatit erdhi sot. Ashtu si në vitin 1987, pas 30 viteve, sërish një ekip shqiptar do të përballet me Partizanin e Beogradit, ekipin që Flamurtari e eliminoi në mes të Serbisë.
http://konica.al/wp-content/uploads/2017/07/Fljamurtari-Partizan-2_0-16.09.1987..mp4?_=1
Po të shohim kohët dhe përballjet, Flamurtari i Vlorës ka bërë historinë e futbollit shqiptar në fundin e viteve ’80. Në kampionatin shqiptar, edhe pse dominonte, në vitet ’80 nuk arriti të shpallej kampion, doli katër herë i dyti. Titullin e mori në sezonin 1990-1991, të vetmin titull që ka fituar Flamurtari në historinë e tij. Ndërsa Skënderbeu është shpallur 7 herë kampion.
Historia e një ekipi shqiptar do të shkruhej me gërma të arta në vitin 1987. Flamurtari sërish kishte zënë vendin e dytë në kampionat dhe përsëri do të luante në Kupën UEFA. Në turin e parë ishte Partizani i Beogradit, që në atë kohë bënte ligjin në Jugosllavi. Kuqezinjtë e Shqipërisë fituan 2-0 në Vlorë, me një autogol të serbëve dhe një gol të Roland Iljadhit.
Ndeshja e kthimit në Beograd një histori më vite. Vendasit fitojnë një penallti inekzistente të Fadil Vokrrit (sot president i federatës së Kosovës) dhe e kthejnë në gol. Sërish Vokrri protagonist në pjesën e dytë, teksa shënon vetë golin e dytë. Shtatë minuta para fundit, Sokol Kushta shënon një ndër golat më të bukur të futbollit shqiptar dhe kualifikon Flamurtarin për më tej. Një menaxhim perfekt i ekipit në minutat e fundit, i drejtuar nga Leonidha Çurri.
Tani është radha e Skënderbeu. Natyrisht, korçarët kanë avancuar më shumë, futbolli është ndryshe, por ndjesia e njëjtë për shqiptarët. Një fitore apo barazim ndaj Partizanit të Beogradit do të gëzonte pa masë të gjithë. Dhe besohet shumë, kësaj here nuk do të ketë as dron, as “kalë troje”, por vetë Skënderbeu, që përfaqëson heroin tonë kombëtar. Vetë emri do t’i tërbojë serbët.