37-vjeçarja në Tiranë vritet me thikë nga motra e madhe
37-vjeçarja Amanda Pushani humbi jetën të shtunën pas plagëve të shkaktuara nga thika. Autore e kësaj ngjarje dyshohet të jetë motra e madhe saj, e cila është vënë në pranga nga policia. Ajo është Marsela Pushani, 40 vjeç. Policia njoftoi se ngjarja ka ndodhur si pasojë e një konflikti mes të dyjave.
“Në vijim të veprimeve, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda arrestuan shtetasen Marsela Pushani, 40 vjeç, (motrën e saj), banuese në Tiranë, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, pasi ditën e djeshme, gjatë një konflikti ka goditur me mjet prerës shtetasen Amanda Pushani, e cila si pasojë e plagëve të marra, ka ndërruar jetë”, njoftoi policia.
Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën “Hajdar Hidri” në kryeqytet. Familjarët kishin njoftuar se 37-vjeçarja kishte ndërruar jetë për shkaqe natyrale. Por ka qenë autopsia që ka zbuluar se e reja ka ndërruar jetë si pasojë e goditjeve me thikë.
Gazetari Besar Bajraktaraj ka mësuar se 37-vjeçarja është goditur një herë me thikë poshtë stomakut. Sipas të njëjtave burime, 37-vjeçarja pinte shumë alkool dhe ky fakt herë pas here ishte shkaktar i zënkave mes dy motrave.