49 VJET NGA DEMONSTRATAT E TETOVËS

1,395

Rezistenca shqiptare kundër shovinizmit sllav

Organizatorë të këtyre demonstratave ishin edhe disa patriotë të tjerë që i brengoste fati i kombit dhe pozita politike si dhe shtypja e vazhdueshme e shqiptarëve në Tetovë, në Gostivar, në Strugë, në Shkup, në Kumanovë dhe në qytete të tjera të banuara me shqiptarë në Maqedoni.

Demonstrata e vitit 1968 në Tetovë, u organizua një muaj pas demonstratave në Kosovë. Organizatorë të drejtpërdrejtë të kësaj demonstrate qenë studentët shqiptarë nga Tetova që studionin bashkë me studentët kosovarë në Universitetin e Beogradit dhe në disa fakultete të Prishtinës.
Organizatorë të këtyre demonstratave ishin edhe disa patriotë të tjerë që i brengoste fati i kombit dhe pozita politike si dhe shtypja e vazhdueshme e shqiptarëve në Tetovë, në Gostivar, në Strugë, në Shkup, në Kumanovë dhe në qytete të tjera të banuara me shqiptarë në Maqedoni.
Shpërthimi i demonstratave është në lidhje të drejtpërdrejtë me disa ngjarje në Kosovë, pas Plenumit të Katërt të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, mbajtur në Brione më 1 korrik 1966, por edhe me disa ngjarje në Tetovë që i paraprinë demonstratës.
Klima e krijuar pas Plenumit pati rëndësi të madhe. Në këtë kohë filloi një lidhje e bashkëpunim më i ngushtë i shqiptarëve të Maqedonisë me Kosovën. Numri i ekzemplarëve të gazetës “Rilindja” që dërgoheshin në Maqedoni në fillim u dyfishua, mandej u shumëfishua. Filloi depërtimi i madh i librave nga Kosova, në mesin e të cilëve kishte edhe botime të Tiranës. U hap libraria “Rilindja” në Tetovë. Shumë të rinj nga Tetova vinin në Kosovë për të parë pjesët teatrore, si: “Trimi i mirë me shokë shumë”, “Cuca e maleve”, “Shtatë shaljanët”, “Plaku i maleve”, etj. Më 1968, jubileu i 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, u bart nga Prishtina edhe në Tetovë, ndërsa që nga ky vit u bë edhe lejimi i pjesshëm i përdorimit të flamurit shqiptar, që
pa dyshim ndikoi në ngritjen e vetëdijes kombëtare. Në shtator të vitin 1968, Fadil Hoxha, kryetar i Kuvendit të Kosovës, vizitoi fshatin Shipkovicë të Tetovës, ku u organizua një miting, me ç’rast foli edhe ai. Fjalimi i Fadil Hoxhës pati jehonë të madhe në rrethinën e Tetovës.
Rrethanat e tilla shoqërore-politike dhe lidhja me Kosovën ndikuan në thellimin e vetëdijes dhe i shtyu njerëzit të mendojnë më ndryshe nga ç’kishin menduar. Ata filluan t’i aktualizojnë disa çështje që kishin të bënin me barazinë kombëtare dhe filluan t’i shtrojnë më haptas problemet që i brengosnin, që, pa dyshim, do të ndikojnë drejtpërdrejt në shpërthimin e demonstratave.
Në shpërthimin e demonstratave do të ndikojë edhe ngarkesa e popullit shqiptar me një kujtesë të rëndë dhe të hidhur historike. Vrasja masive e rreth 1.200 shqiptarëve në vitin 1945 në “Monopol” të Tetovës, i cili përkohësisht shërbeu edhe si kamp përqendrimi për shqiptarët, kishte lënë gjurmë të pashlyeshme. Kujtime të rënda kishin lënë edhe vrasjet e shqiptarëve anekënd Jugosllavisë gjatë vitit 1945 (në Tivar, në Dubrovnik, në Trogir, etj.).
Burgosjet e shqiptarëve dhe proceset e montuara politike, të cilat filluan menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe zgjatën gjatë gjithë kësaj periudhe deri në vitet e gjashtëdhjeta, bënë ndikim të posaçëm në formimin e vetëdijes kombëtare. Burgosjet e para u bënë në vitin 1945, kur shumica e të burgosurve edhe u ekzekutuan. Në vitin 1946 u organizua gjykimi i parë i montuar në Shkup, i anëtarëve të organizatës Nacional
Demokratike Shqiptare (NDSH), kur me vdekje u dënuan Azem Morana, Mehmet Bushi dhe Skënder Morana, që të tre nga Shkupi. Dy të parët u ekzekutuan, ndërsa të tretit dënimi iu shndërrua në 20 vjet burg. Në këtë proces u dënuan edhe shumë të tjerë prej 1 deri 15 vjet burg, shumica e të cilëve ishin nga Tetova. Në vitin 1948, menjëherë pas prishjes së marrëdhënieve me Shqipërinë, Nexhat Agolli, ministër i Arsimit, u dënua me vdekje,
ndërsa i vëllai, Qemal Agolli, u dënua me burg të përjetshëm.
Në vitin 1952 pasoi një nga proceset më të mëdha politike, Grupi i Informbyroistëve Shqiptarë, me në krye arsimtarin e Shipkovicës, Sadudin Gjura, i cili u dënua me 20 vjet burg. Bashkë me të u dënuan edhe shumë të tjerë, si: Gani Luma, Sheraf Kazazi, Ismail Seiti, Vehbi Lushi, që të gjithë nga Tetova. Po këtë vit, në Tetovë, u dënuan edhe profesori Shani Mina dhe arsimtari Qerim Arifi, si edhe mësuesit Sejdi Misini dhe Hisni Abdullahu, që të dy nga fshati Sllatinë. Në vitin 1955, me 10 vjet burg, u dënuan mësuesit: Mehmetriza Murtezani – Gega, Muharrem Jusufi dhe Abdullah Kalishta, i cili më vonë do të konsiderohet edhe si ideolog i “nacionalizmit” shqiptar. Në vitin 1956, me burgim të rëndë, u dënuan disa intelektualë të atëhershëm, si:
Raif Maleziu, Sylejman Arifi dhe qytetari Hysen Spahiu, që të gjithë nga Tetova, ndërsa nga Gostivari u dënuan: Adnan Agai, Sheraf Agai, Abdylazis
Taravari, vëllezërit Naxhi dhe Fevaip Purdhe, etj. Në vitin 1959 u dënua mësuesi Kapllan Kallushi. Në vitin 1961 u dënua qytetari Safet Shahini dhe disa të tjerë.

Mehmetriza Murtezani, Gega – simbol i qëndresës
Pas masave drakoniane të vitit 1952, Mehmetriza Murtezani -Gega, njëri nga atdhetarët më të shquar të kësaj ane, i cili nga qeveritarët maqedonas u cilësua edhe si ideolog i tërë Lëvizjes që u bë në vitin 1968, ishte mjaft aktiv. Veprimtaria e tij pas vitit 1952 u dallua, në njërën anë, në pengimin e shpërnguljes për në Turqi, e cila pas vitit 1953 mori përmasa eksodi, ndërsa në anën tjetër në pengimin e fëmijëve shqiptarë që të regjistroheshin në
shkollat turke. Veprimtaria e Mehmetriza Murtezanit nuk kufizohej vetëm në Tetovë, ndonëse ai këtu jetonte dhe punonte. Ai veproi edhe në Gostivar, në Shkup, madje edhe në Prishtinë, në Pejë, në Prizren, në Mitrovicë, në Gjilan, e në qytete të tjera, duke u përpjekur që t’i bindte njerëzit të mos shkonin në Turqi. Mirëpo, veprimtarinë propaganduese ia ndërprenë shumë shpejt organet e policisë, të cilat i ranë në gjurmë dhe, më 21 maj të vitit 1955, e kapën duke shpërndarë afishe në Hanin e Sharrit në Shkup. Përmbajtja kryesore e afisheve ka qenë: “Mos shkoni në Turqi, qëndroni në vendin tuaj!”. Për këtë akt patriotik, Mehmetriza Murtezani u dënua me 10 vjet burg. I vuajti 7 vjet burg dhe u lëshua nga burgu më 1962, me amnisti të përgjithshme.
Me rastin e festës kombëtare, 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, pikërisht në vigjilje të saj, më 27 nëntor 1967, në shtëpinë e Mehmetriza Murtezanit u mblodh një grup të rinjsh për të festuar Ditën e Flamurit. Këtu, pos Mehmetriza Murtezanit, ishin të pranishëm edhe: Faik Mustafa, Ramadan Sinani, Hysenxhevat Kalishta, Miftar Zymberi, Fehmi Rufati, Abdyselam Selami, Xhemil Mustafa, Arbër Xhaferi dhe Abdylmenaf Rustemi. Gjatë asaj nate, derisa grupi këndonte këngë patriotike dhe zhvillonte biseda për padrejtësitë që u bëheshin shqiptarëve nga pushteti maqedonas dhe ai jugosllav, për pozitën e shqiptarëve sidomos në fushën e punësimit dhe të arsimit, vajza e Mehmetriza Murtezanit, Valdetja, trembëdhjetëvjeçare, përfundoi qëndisjen e flamurit kombëtar.
Herën e fundit, grupi u takua më 27 nëntor të vitit 1968 në shtëpinë e Faik Mustafës. Në këtë takim u diskutua dhe u bë plani për organizimin e demonstratave në Tetovë, në Gostivar, në Kumanovë, në Shkup dhe në qytete të tjera shqiptare. Sipas këtij plani, demonstratat në këto anë do të duhej të mbaheshin në pranverën e vitit pasues dhe pikërisht në muajin maj të vitit 1969. Por, ky plan ndryshoi. Demonstratat në Kosovë u organizuan
pikërisht në këtë natë, kur ky grup nuk dinte gjë fare dhe sapo kishte filluar të diskutonte për këtë çështje.
Pas shpërthimit të demonstratave në disa qytete të Kosovës, rrethanat kishin ndryshuar, andaj u shtrua si detyrë që demonstrata të tilla të organizoheshin edhe në Tetovë dhe në disa qytete të tjera, madje edhe para kohës së paraparë.

• Nga kush mori udhëzime Faik Mustafa se si duhet të organizoheshin demonstratat dhe çfarë do të duhej kërkuar në to?
• Cilat ishin ngjarjet që i paraprinë demonstratave të Tetovës?
• Çfarë jehone pati emërtimi i shkollës në fshatin Poroj me emër të ri “Skënderbeu”?
Herën e fundit, grupi u takua më 27 nëntor të vitit 1968 në shtëpinë e Faik Mustafës. Në këtë takim u diskutua dhe u bë plani për organizimin e demonstratave në Tetovë, në Gostivar, në Kumanovë, në Shkup dhe në qytete të tjera shqiptare në maj të vitit 1969. Por, ky plan ndryshoi meqë demonstratat në Kosovë u organizuan pikërisht në këtë natë, kur ky grup nuk dinte gjë fare dhe sapo kishte filluar të diskutonte për këtë çështje. Nga
ajo natë, Grupi nuk ishte mbledhur dhe nuk kishte shqyrtuar çështjen e demonstratave, ndonëse Faik Mustafa shkëmbeu letra me Agim Jakën dhe me Ibrahim Rudin nga Gjakova, nga të cilët, gjatë muajit dhjetor 1968, mori udhëzime se si duhet të organizoheshin demonstratat dhe çfarë do të duhej kërkuar në to. Mirëpo, meqë nuk ishin bërë përgatitjet paraprake propagandistike, organizimi i demonstratave u la për më vonë.

Ngjarjet që u paraprinë demonstratave të Tetovës Më 27 nëntor të vitit 1967, Shefit Pollozhani nga Struga, bashkë me Sejdi Llogën, Olloman Selën dhe Xhevat Lenën, ngritën flamurin kombëtar,
shkruan parullat: “Rroftë 28 Nëntori!”, “Rroftë populli shqiptar!” dhe “Rroftë Shqipëria!”. Ky grup, në mënyrë ilegale, festoi edhe festën e 28 Nëntorit. Një vit më vonë, Festën Kombëtare e festuan edhe dy grupe të rinjsh në Gostivar: Zydi Bilalli, Shaip Bilalli dhe Naim Bilalli nga Çegrani dhe Hysen Hasani nga Forina e Gostivarit. Ata, në vigjilje të Festës Kombëtare, bashkë me disa të rinj të tjerë, u tubuan në lokalet e Shkollës Fillore, ku ngritën flamurin kombëtar dhe kremtuan këtë datë historike. Në të njëjtën natë, në fshat ishin shkruar edhe parullat me tekstin “Rroftë 28 Nëntori!”.
Një grup tjetër arsimtarësh nga Gostivari, në përbërje: Jusuf Dalipi, Xhavit Muharremi, Ymer Ymeri, Mustafë Rushiti, Refik Dauti, Flora Muharremi dhe Jamin Nuredini, mori vendim, po ashtu, që të kremtojë 28 Nëntorin. Vendimi u mor më 27 nëntor të vitit 1968, domethënë në vigjilje të festës, dhe më 28 Nëntor. Atë ditë, para dreke, Jusuf, Dalip e Xhavit Muharremi, Imer Imeri dhe Refik Dauti, e vendosën flamurin në veturë dhe parakaluan nëpër fshatrat Gajre, Forinë dhe Çegran. Mandej u kthyen në qytet, prej ku sërish u nisën dhe shkuan në drejtim të kundërt, në fshatin Debresht. Prej aty u kthyen në Gostivar dhe, pas dreke, Jusuf Dalipi, Jamin Nuredini, Refik Dauti, Mustafë Rushiti dhe Ymer Ymeri, me flamur në veturë, shkuan në Mavrovë, 18 kilometra larg Gostivarit. Aty hynë në restorantin e “Haneve të Mavrovës” dhe vendosën flamurin mbi tavolinë. Në këtë motel qëndruan rreth një orë dhe mandej u kthyen në Gostivar, ku arritën rreth orës 18:30 minuta. Prej këtu, Xhavit Muharremi dhe Flora Muharremi, me veturë ku ishte flamuri, u kthyen në fshatin Vërtok.
Në Tetovë, pikërisht në fshatin Poroj, në nëntor të vitit 1968, dita e shkollës fillore u kremtua me emër të ri “Skënderbeu”. Kjo kremte qe madhështore, por edhe policia qe përgatitur mirë dhe pritej vetëm ndonjë ekses dhe provokim i vogël që të kalojë në veprim. Emri i kësaj shkolle ishte ndërruar me iniciativën e Beqir Berishës, ish-këshilltar i arsimit, dhe ishte realizuar me angazhimin e drejtpërdrejtë të Servet Koxhaxhikut, mësues në këtë fshat.
Ndërrimi i emrit u bë me rastin e kremtimit të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Me iniciativën e Beqir Berishës punohej edhe në ndërrimin e emrave të dy shkollave të tjera. Në fshatin Shipkovicë kërkohej që shkolla fillore “Jeta e re” të merrte emrin “Lidhja e Prizrenit”, me rastin e 90-vjetorit të kësaj ngjarjeje, ndërsa në fshatin Grupçinë propozohej që shkollës fillore “Zheden” t’i ndërrohej emri në “Kongresi i Manastirit”, që përkonte me 60- vjetorin e mbajtjes së Kongresit të gjuhës në Manastir. Derisa drejtori i shkollës së Shipkovicës, Nexhbedin Neziri, e kishte dhënë propozimin me shkrim në organet përkatëse të Komunës, drejtori i shkollës së Grupçinit, Muhamet Munishi, spiun i përbetuar i policisë maqedonase, e kishte njoftuar
në mënyrë të hollësishme policinë për rrjedhën e kësaj çështjeje. Para ngjarjeve të Gostivarit dhe para demonstratave në Kosovë, në Tetovë, më 18 tetor 1968, u bë bojkotimi njëditësh i mësimit të nxënësve shqiptarë të Gjimnazit të Tetovës. Ata kërkonin hapjen e paraleleve shqipe, propozim ky që
ishte dhënë një vit më parë e që ishte përkrahur e miratuar nga Kuvendi Komunal i Tetovës Mirëpo, forcat shoviniste maqedonase e pengonin sendërtimin e tij. Këtë ngjarje, të gjithë faktorët politikë dhe shtypi jugosllav, e karakterizuan si një nga aktet më të rënda të marrëdhënieve ndërnacionale në komunën e Tetovës dhe në Republikën e Maqedonisë. Me këtë rast u formuan komisione për hetime. Në Gjimnaz erdhën delegacion pas delegacioni, u bënë mbledhje pas mbledhjeje, por synimi pjesërisht u realizua. Kërkesa e nxënësve për hapjen e paraleles në gjuhën shqipe u plotësua vetëm pas dy ditësh. Më 20 tetor filloi punën paralelja shqipe.

Incidenti me flamurin dhe provokatori maqedonas
Në muajin nëntor të vitit 1968, Kuvendi Republikan i Maqedonisë, formalisht, kishte miratuar përdorimin e “lirë” të flamujve të kombësive, ky hynin edhe shqiptarët. Meqë flamuri nuk u ngrit dhe nuk u përdor askund gjatë festës së 29 Nëntorit – “Ditës së Republikës së Jugosllavisë”, shqiptarët filluan të blejnë flamuj nëpër shitore dhe të përgatiteshin t’i përdornin gjatë kremtes fetare – Bajramit, që ishte afër.
Në mbrëmjen e 19 dhjetorit, në vigjilje të kremtes së Bajramit, flamujt shqiptarë u ngritën në disa xhami të qytetit të Tetovës. Në Xhaminë e Sahatit, e cila gjendet në qendër të qytetit, flamurin në minare e vendosi Murtezan Murtezani, vëllai i Mehmetriza Murtezanit – Gegës, personalisht me porosi të të vëllait.
Në Xhaminë e Vjetër (Eski Xhamia), flamurin e vendosi Abdullah Jusufi. Ndërsa, në Xhaminë e Pashës, flamurin e ngriti Haqif Ferati. Flamuri u ngrit edhe në disa shtëpi private dhe në disa dyqane. Masa për këtë ishte përgatitur nga Mehmetriza Murtezani – Gega. Ai, në Xhaminë e Sahatit, më 28 Nëntor, i foli masës për këtë festë, duke i propozuar masës të bëjë lutje për dëshmorët e atdheut. Maqedonasit ishin revoltuar me ngritjen e flamujve shqiptarë gjithandej qytetit të Tetovës, prandaj përgatitën një skenar provokues. Në orët e
mbrëmjes, të datës 22 dhjetor 1968, shovinisti maqedonas, Sreçko Janeski, grisi flamurin kombëtar, të ngritur në dyqanin e Ismail Spahiut, në qendër të qytetit. Njerëzit që ishin aty pranë reaguan kundër këtij provokatori. Masa filloi të tubohet dhe të bëhet gjithnjë më e madhe. Provokatori, Sreçko Janeski, nxori revolen dhe ia drejtoi masës duke u zmbrapsur në lokalet e “Hotel Makedonija”. Protestuesit shqiptarë thyen xhamat e hotelit dhe u futën në lokalet e tij, por së shpejti arriti policia, e cila e mori në mbrojtje provokatorin shovinist. Më të dalluarit në këtë reagim ishin mjekët Harun Jakupi dhe Mahmut Bajraktari, si dhe arsimtarët Selajdin Hyseini dhe Abdullah Kalishta.

Protesta u shndërrua në një demonstratë të fuqishme
Të nesërmen, më 23 dhjetor, protesta u shndërrua në një demonstratë të fuqishme. Organizatorë të saj të drejtpërdrejtë ishin: Faik Mustafa, Ramadan Sinani, Ismail Emini dhe Hysniqemal Merxhani, të cilët shkruan parullat dhe dhanë kushtrimin për fillimin e demonstratës. Ndër parullat kryesore ishin: “Rroftë Fadil Hoxha!”, “Poshtë shovinizmi maqedonas!”, “Kërkojmë hapjen e Universitetit të Kosovës!”, “Kërkojmë përdorimin e lirë të flamurit kombëtar!”, etj. Diçka para orës 11:00, demonstruesit ishin tubuar para dyqanit të provokatorit Sreçko Janeski. Masa ishte bërë shumë e madhe. Ndërkohë kishin ardhur edhe shumë fshatarë nga rrethina e Tetovës, në tubimin e të cilëve kishin kontribuar në mënyrë të posaçme Sali Bakiu nga Reçica dhe Ismail Saliu nga Gradeci. Demonstrata filloi në orën 11:00. Me angazhimet e tyre, në mënyrë të veçantë, u dalluan: Sejfullah Zylbeari,Jakup Leka, Hamit Saliu, Nexhbedin Neziri, Neshat Zylbeari, Gafur Zylbeari, etj. Demonstruesit u nisën nga qendra e qytetit të Tetovës.Së pari iu drejtuan selisë së Komitetit Komunal të Lidhjes Komuniste, në ndërtesën e të cilit u futën demonstruesit, duku hyrë madje edhe nëpër zyrat e tij. Këtu u dallua në mënyrë të veçantë nxënësi i gjimnazit, Hamit Saliu, i cili e shpaloi flamurin kombëtar në dritaren e një zyre në katin e tretë të Komitetit të Partisë Komuniste. Prej këtu demonstruesit u kthyen në qendër të Tetovës dhe prej atje iu drejtuan Sekretariatit për Punë të Brendshme,UDB-së, duke kaluar gjithnjë nëpër rrugët kryesore të qytetit. Para ndërtesës së UDB-së demonstruesit qëndruan një kohë të gjatë duke kërkuar lirimin e të burgosurve, sepse demonstruesit ishin informuar se, tashmë, ishin të burgosur shumë shqiptarë. Demonstruesit, sërish, u kthyen në qendër të qytetit, ku qëndruan një kohë të gjatë duke brohoritur parulla për barazi kombëtare. Në orët e vona të pasdites, në qendër të qytetit, ishte tubuar një masë e madhe prej më se 20.000 vetash, e që shtohej gjithnjë. Krahas masës filluan të vijnë edhe përforcime të policisë speciale nga Shkupi dhe nga
qytetet e afërme, të cilët e bënë masën e demonstruesve gjithnjë më të padurueshme dhe më agresive.
Në atmosferën e këtij entuziazmi të madh të demonstruesve, kur në qendër të qytetit dëgjoheshin vetëm brohoritje të ndryshme, djaloshi 20-vjeçar,

Shifajet Fetahu, hipi në shtyllën gjashtë metra të lartë metalike dhe e ngriti flamurin kombëtar, për të parën herë që kur kishte përfunduar Lufta e Dytë Botërore. Ngritja e flamurit para kësaj mase të madhe njerëzish qe akti kulmor i kësaj demonstrate. Pas pak kohe, një i porositur nga ana e qeverisë maqedonase, u paraqit në një dritare të një ndërtese dhe nëpërmjet megafonit iu kërcënua masës se brenda disa minutash do të fillojë ora policore dhe intervenimi i policisë. Demonstruesit reaguan rreptë, por, pas disa minutash, meqë demonstruesit e kishin bërë të veten, filluan të largohen dhe në këtë mënyrë përfunduan demonstratat dyditëshe, më 22 dhe 23 dhjetor 1968, në Tetovë.
* Cila ishte rëndësia historike e demonstratave të Tetovës?
* Si u bënë burgosjet masive në Tetovë dhe të shumë veprimtarëve edhe në Strugë, në Shkup, në Gostivar e në Kërçovë?

Me qëllim të marrjes së masave sa më të rrepta kundër shqiptarëve, të shtimit të terrorit shtetëror, si dhe të kthimit të situatës parabrioniane në Kosovë dhe në të gjitha viset e tjera shqiptare, qeveritarët maqedonas glorifikuan shumë qëllimin e demonstratave. Ata demonstratat i paraqitën si “armiqësore” e më kërkesa irredentiste për bashkim vertikal të shqiptarëve në Jugosllavi, për bashkim me Kosovën dhe me Shqipërinë. Me qindra shqiptarë u burgosën dhe u dënuan me kundërvajtje, ndërsa 54 veta u dënuan me dënime mbi një vjet burg të rëndë.Përkundër faktit se dënimet ishin shumë të rënda, maqedonasit planifikonin edhe dënime me vdekje dhe shumë dënime me burg të rëndë mbi dhjetëvjet. Mirëpo, situata ndërkombëtare dhe pozita që gëzonte atëherë Jugosllavia, e bënë të veten. Maqedonasit, në këto rrethana dhe në këtë situatë, qenë të detyruar të kënaqen edhe me vetëm një dënim maksimal prej shtatë vjetësh, që ia shqiptuan atdhetarit të njohur, Mehmetriza Muretezanit –Gega.
Shtypi maqedonas i dha publicitet shumë të madh demonstratave, në mënyrë që të tërhiqte vëmendjen e opinionit jugosllav kundër shqiptarëve, por kjo u kthye si bumerang kundër vetë maqedonasve, për arsye se çështja shqiptare filloi të dalë para opinionit ndërkombëtar. Maqedonasit nuk paten mundësi ta ndryshonin situatën as në Kosovë. Përkundrazi, me përfundimin e gjykimeve në Kosovë, ku dënimi më i lartë qe 5 vjet, maqedonasit u gjetën në një situatë të vështirë dhe nuk dinin se si të arsyetonin numrin e madh të të burgosurve politikë.

Ndjekjet dhe burgosjet e veprimtarëve në Tetovë dhe viset e tjera
Pos burgosjeve masive në Tetovë, u burgosën shumë veprimtarë edhe në Strugë, në Shkup, në Gostivar, në Kërçovë, etj., madje edhe ata që nuk kishin pasur kurrfarë lidhjesh me demonstratat. Kështu, për shembull, në Shkup u burgos dhe u dënua Sejdi Kryeziu, me 5 vjet burg, gjoja se ka bërë “propagandë armiqësore” për shkëputjen e Maqedonisë Perëndimore dhe për bashkim me Shqipërinë, ndërsa Inajet Bariu u dënua me një vit burg, po për “propagandë armiqësore”. Në Strugë u burgosën dhe u dënuan: Irfan Vlashi, me 6 vjet burg për “diversion”; Tosun Roçi, me 5 vjet burg; mandej Suria Qura, në Kërçovë; Sali Ramadani, etj.Për dënimin e intelektualëve shqiptarë anekënd Maqedonisë, që ishin në sy të burokracisë shoviniste maqedonase, gjyqet shfrytëzuan edhe disa dëshmitarë që u shërbyen me gënjeshtra. Për dënimin e grupit të Mehmetriza
Muretazanit – Gegës, para gjyqit dolën 103 dëshmitarë, prej të cilëve vetëm 3 veta dëshmuan në favor të aktakuzës. Për dënimin e grupit të Gostivarit dëshmuan 62 veta, por përgjithësisht në favor të të akuzuarve. Si dëshmitarë më të rrezikshëm, që dëshmuan në favor të aktakuzave dhe që u shërbyen kryesisht me gënjeshtra, ishin mësuesit: Jakup Haliti nga fshati Dobrosht i Tetovës, Muhamet Munishi nga Tetova, vëllezërit Sadik Sadiku dhe Taip Emini nga fshati Pirok, si dhe Nuhi Besimi, po ashtu nga fshati Pirok. Demonstratat e Tetovës aktualizuan çështjen e flamurit kombëtar shqiptar në nivel të federatës jugosllave dhe së shpejti u miratua vendimi që ai të përdoret zyrtarisht në të gjitha festat, ndonëse këtë vendim Maqedonia nuk e përfilli deri në vitin 1975. Ato, më tutje, ngritën vetëdijen kombëtare, shtuan interesimin për shkollim dhe aktualizuan çështjen e pazgjidhur shqiptare, si në nivel të vendit, ashtu edhe në nivel ndërkombëtar. Ky qe një bumerang për maqedonasit, të cilët, përgjithësisht, me masat drakoniane kundër shqiptarëve, u treguan si politikanë të rangut të ulët dhe e humbën luftën politike./Faktiditor.ch/

Comments