Mexhiti paralajmëron shkollë të re në Çair, Osmani ndërmarrje për higjienë me 120 punonjës

105
fresco

Kandidati i VLEN-it për kryetar komune në Çair, Izet Mexhiti, prezantoi projektin e një shkolle të re që do të ndërtohet në Çair. Tha se kjo shkollë do të ketë kapacitet për 1300 nxënës e cila do të jetë me një ndërrim. Përveç kësaj Mexhiti bëri të ditur se do të ndërtohet edhe objekti i shkollës “Idnina”.

“Sot para jush po e prezantoj ndërtimin e shkollës së re moderne në “Teneqe mëhallë” apo mëhalla e boshnjakëve. Për shkak se ka formën V të ndërtimit është ideja që të quhet Viktoria. Ky investim do t’u hapë dyert e dijes rreth 1300 nxënësve në një objekt prej 4700 metra katror me 54 klasa, 8 kabinete dhe 2 laborator të pajisur sipas standardeve më të larta”, tha Izet Mexhiti, kandidat i VLEN për kryetar komune në Çair.

Kandidati i AKI-së për kryetar komune në Çair Bujar Osmani njoftoi se një ndër prioritetet kryesore të tij është edhe ai për pastërti në Çair, pasi siç tha, papastërtia po dëmton shëndetin e fëmijëve. Shtoi po ashtu se do të shpall gjendje të jashtëzakonshme ku do të marrin pjesë në pastrim kompanitë, nxënësit e shkollave, bashkësitë fetare dhe qytetarët. Bujar Osmani tha se brenda 60 ditëve do e themelojë ndërmarrjen komunale për higjienë në Çair, ku do të punësohen 120 punonjës.

“Ky do të jetë një ndër prioritetet e mia kryesore dhe kam thënë se projekti për pastërti në Çair do të jetë në dy rrugë, një ndërhyrëse ose intervente dhe nën dy strategjike ose afatgjate. Ditën e parë shpallim gjendje të jashtëzakonshme për papastërti në Çair, formojmë shtabin e krizës. Shtabi i krizës nuk do të jetë i përbërë vetëm prej komunës por të gjithë ata që duan të jenë pjesë e një aksioni masiv të pastrimit të Çairit, përfshirë kompanitë private, shkollat, bashkësitë lokale të qytetarëve”, pohoi Bujar Osmani, kandidat i AKI për kryetar të Çairit.

Comments