Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes Albin Kurti, më 4 nëntor pati deklaruar se Glauk Konjufca në cilësinë e mandatarit të qeverisë i ka 56 vota, por ai pati deklaruar se mund t’i marrë edhe më shumë.
“Për mandatarin e ri, në tentimin e dytë, Glauk Konjufca, i ka të gjitha votat që i kam pasur unë, ju e dini që në Kuvend të Republikës unë i mora 56 vota nga 61 sa është minimumni i nevojshëm. 56 vota i ka sigurt Glauku, ndoshta merr më shumë. Më pak nuk mund të marrë. Maksimumi im është minimumi i Glaukut”, deklaroi Kurti në konferencën e mbajtur për media.
“Nuk është kurrëfar obligimi të sigurohen 61 nënshkrime, tentimi i dytë për bindjen tonë përveçse e drejtë është edhe obligim, në mënyrë që të bëhet çmos që të evitohen zgjedhjet e reja”, pati deklaruar ai.
Por, sot mandatari për formimin e qeverisë Glauk Konjufca, i mori saktësisht ato vota që i mori Albin Kurti në seancën e 26 tetorit, pra 56 vota dhe asnjë më shumë.

