Një tjetër ngjarje e madhe do të zhvillohet në Amfiteatrin e ri të gjimnazit të Tetovës ” 7 Marsi” me rastin e 21 Marsit që njihet si Dita Botërore e Poezisë, e shpallur e tillë nga UNESCO në vitin 1999 shkruan Faktiditor.ch.
Drejtoresha e kësaj qendre Miqerem Rizai tha për Faktiditor se institucioni që e drejton krahas shumë zhvillimeve tjera dhe aktiviteteve të shumta, nuk ka harruar edhe këtë ngjarje të veçantë të poezisë në ditën botërore të saj duke ftuar edhe profesorë universitarë përfshirë Vjollca Berisha dhe Zejnepe Rexhepi që janë ligjeruese pranë Universitetit të Tetovës dhe krijuese letrare.Vitin e kaluar ora letrare iu kushtua figurës së madhe të letërsisë shqiptare Naim Frashërit ku prezentë ishin profesorët Fatmir Sulejmani dhe Salajdin Salihu po nga UT.Por e veçanta e kësaj, janë elementet moderne që i janë shtuar kësaj ore letrare duke përfshirë interpretimin e disa poezive jo vetëm në gjuhën shqipe por edhe në atë angleze dhe frenge .Poashtu në këtë shfaqje do të përfshihen edhe disa profesorë që do të përkujdesen për muzikën përfshirë profesoreshën Sihana Hasani dhe pjesën e koreografisë Besmir Tairi , për t’i dhënë një ton ndryshe orës së madhe lerare si dhe një videomaterial i përgatitur nga nxënësit për këtë ngjarje letrare dhe artistike.Poashtu në këtë ngjarje janë ftuar edhe katedrat e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe dhe asaj angleze të Universitetit të Tetovës , si dhe mysafirë tjerë të veçantë.
Programin e kanë përgatitur profesoreshat e gjuhës dhe letërsisë shqipe Linda Zejneli dhe Arlinda Zaimi, profesoreshat e gjuhës angleze Blerina Halili Bexheti dhe Njomza Hasani si dhe profesoresha e gjuhes frenge Fisnike Arifi .Poezitë do të interpretohen nga nxënësit e gjimnazit 7 Marsi.
Përndryshe përveç krijimit të një dite të veçantë në nderim të poezisë dhe krijimtarisë poetike, qëllimi i Ditës Botërore të Poezisë është përkrahja e leximit të poezisë, nxitja e krijimtarisë poetike, botimi i saj si dhe krijimi i një atmosfere mikpritëse për praninë poetike kudo në botë.
UNESCO e ka ndërmarrë këtë hap për t’i dhënë gjallëri, vlerësim dhe shtysë lëvizjeve poetike kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare.
Dita e Poezisë dëshmohet se ka qenë e pranishme që prej vitit 1505. Ajo është kujtuar në muaj të ndryshëm të vitit dhe në forma të larmishme organizimi, sipas veçorive, besimeve dhe parapëlqimeve të secilit komb./Faktiditor.ch/.

