Nga Albert Habazaj
Foto e OSMAN HAXHIUT, Kryetar i Komitetit të Mbrojtes Kombëtare në Luftën e Vlorës, 1920Jo vetëm në Vlorë e Labëri, apo në Shqipëri, por edhe në rajon, pothuaj ndër të gjithë popujt e botës, kënga bën histori. Historia jo gjithmonë bëhet këngë. Me Osman Haxhiun, ka ndodhur, fatmirësisht, një rezonim i harmonishëm i koherencës historike me emocionalitetin e këngës burimore, të gurrës popullore, kushtuar atij, e cila është një nga perlat e gjerdanit të praruar, që zbukuron fondin e pasur të Epikës Historike të Luftës së Vlorës. Kjo dukuri ndodh, sepse, është pikërisht kontributi i Osman Haxhiut, përveç të tjerash, sidomos në organizimin dhe në drejtimin e Luftës së Vlorës, që i përmbush parametrat, kriteret shkencore të historiografisë dhe “ligjet” e pashkruara apo parimet specifike të folklorit, sepse ndërkohë Osman Nuri, jo vetëm në Vlorë, me rrethinat e krahinat e saj, vlerësohej, edhe si një njeri me nam të lartë, ndërkohë që njihet nga historia dhe folkloristika si emblema e Luftës së Vlorës. Ai qe figura qendrore e Luftës së Vlorës, ai qe udhëheqësi i urtë e vizionar i Zjarrit Kombëtar, që shpërtheu e buisi nga Ashti i Nderit të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Atij i thonë edhe Leonidha e Epopesë Termopiliane të Njëzetës, sepse Ai, 12 anëtarët e Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare të Luftës së Vlorës, me 4 mijë trima të armatosur dhe me 800 mijë shqiptarë të tjerë, që edhe pse s’ishin fizikisht, shpirtërisht dhe materialisht ishin të pranishëm në Vlorë, duke i zbardhur faqen Atdheut para botës, mbas 500 vjetësh robëri e pa liri. Osman Haxhiu me të tijtë (kupto, gjithë shqiptarët: pjesëmarrës fizikë, materialë dhe shpirtërorë) u ngrit trimërisht në këtë Termopile Shqiptare të Kohës së Re, për t’u vënë kufirin te thana (në kontekstualitet, aq sa qe e mundur) kërcënimeve të tërësisë tokësore dhe ekzistencës tonë kombëtare. Për jetën dhe veprën e Osman Haxhiut ka histori të shkruar dhe këngë të kënduara, që qarkullojnë, të cilat janë nga të paktat që kanë ende jetë folklorike, jo vetëm në Armen apo në Dukat. Duke vlerësuar rëndësinë e lëndës, burimet ku mbështetemi për realizimin e qëllimit historiko – folkloristik që kemi, dokumentacionin, literaturën referuese, dendësinë dhe besueshmërinë e informacionit, me objektiv të qartë e kryem një ekspeditë vetjake në fshatin ku u lind emblema e luftës së Vlorës. Një figurë e pastër atdhetare, interesante, me kapital, me shpirt, e respektuar, nga të paktët e Parisë së Vlorës që u fut në gjirin e këngës, në fondin e artë të folklorit. Ali Asllani e quante Mojsiu i Vlorës, Patriarku i Lirisë. Njerëzit e cilësonin Div i Vlorës. Ndërsa krijuesi popullor ia gdhendi portretin me tre vargje monumentale “Lule, Osmën effendi!/ Të ishin dy, tre si ti,/ Do të bënej Shqipëri”. Osman Haxhiu, të vetmin ideal kishte Atdheun dhe për Atdheun punoi e luftoi me një fanatizëm fetar. Kur, buzëmbrëmjen e 12 marsit 1937, vigani i shqiptarizmës 52 – vjeçar, u shua, se iku nga jeta, u mbyllën dyqanet dhe u ulën flamurët në gjysmështizë. Revista “Përpjekja Shqiptare” do të shkruante: “Pas atij të Ismail Qemalit, Vlora s’ mban mend një varrim kaq madhështor”. Ali Asllani, i cili qe kryetar Katundarisë së Vlorës (sot Bashkia) ka përmendur gjithmonë mençurinë, vetëmohimin e trimërinë e Osman Haxhiut dhe burrave të tjerë të gjykimit dhe përfaqësimit të duhur popullor. Kemi dëgjuar nëpër festa, festivale dhe patjetër atje, te burimi, në Armen të këndohet për Osman Haxhiun, i cili ishte bir i Armenit dhe njëkohësisht kyetar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”, i cili udhëhoqi Luftën e Vlorës. Edhe kjo këngë këndohet sipas melodisë që këndojnë banorët e Armenit dhe jo të tjerë. Do të evidentoj një miniretrospektivë tepër e ngushtë kohore, jo më tutje se një vit nga Ngjarja e Madhe. Ëndrra shekullore që kishte përvëluar shpirtrat e zhuritur të shqiptarëve u bë realitet më 1912 – ën, por e mbrapshta Luftë e Parë Botërore e bëri të pamundur festimin popullor të përvitshëm çdo 28 Nëntor. Burrat e pasur e me mend, elita atdhetare, populli i Vlorës, qyteti dhe krahinat menduan që më 28 Nëntor 1919 të rinisnin festën e madhe të Flamurit. Ndërkohë situata ishte vërtet shqetësuese, sepse pushtuesit italianë kishin hedhur në treg spiunët për të vënë në udhë e për të piketuar veprimtarët atdhetarë, qofshin këta klerikë, mësues a nëpunës të tjerë të dalluar. Zjarri atdhetar thellohej tek urrejtja kundër pushtuesve italianë, saqë fëmijët të mos mësonin gjuhën italiane në shkollat shqipe. Festa e Flamurit do të bëhet madhështore me çfarëdo çmimi që të kërkohet më datën 28. Ky qe vendimi i 11 Apostujve të Vlorës, me Osmën Nurin në krye. Gjeneral Ferraro, komandanti i pushtimit, nuk e pranoi ngritjen e Flamurit Shqiptar. Dihet e vlerësohet, jo vetëm në Vlorë e krahinat e saj, thënia lapidare që Osman Haxhiu i ktheu plot krenari gjeneralit të pushtimit: “Ky flamur na thërret në këtë ditë të shenjtë për bashkimin e trojeve shqiptare, siç e ka lënë amanet Ismail Beu. Vlora është shqiptare. Jashtë pushtuesit!”. Duke vijuar kronologjikisht, konturohen për historinë vendimet historike të Kongresit të Lushnjes, që hapën udhë të reja për të ardhmen e Shqipërisë. Për të drejtuar lëvizjen kombëtare, në prill 1920, u krijua përsëri, brenda më Vlorë, ashtu si më 1919, një komitet i fshehtë me emrin “Mbrojtja Kombëtare”, i kryesuar nga prefekti i Vlorës Osman Haxhiu, në të cilin hyri dhe Q. Koculi. Deputeti tjetër S. Koleka u ngarkua të kryente funksionet e përfaqësuesit të fshehtë të komitetit pranë qeverisë së Tiranës. Kryeministri e aprovoi programin e komitetit. Pasi u bënë përpjekjet e duhura për fillimin e kryengritjes, KMK thirri me urgjencë parinë e qytetit e të fshatrave të zonës së pushtuar të Vlorës në një kuvend që do të mbahej ilegalisht në Barçalla, një shpat mali pranë Dukatit, në jug të Vlorës. Ftesës iu përgjigjën të gjithë krerët e ftuar. Kuvendi u mblodh më 29 maj 1920. Të gjithë pjesëmarrësit aprovuan propozimin e komitetit për të filluar sa më parë kryengritjen çlirimtare. Kuvendi zgjodhi një Këshill Kombëtar prej 30 vetash dhe nga gjiri i tij u zgjodh një komitet i ri i “Mbrojtjes Kombëtare” prej 12 anëtarësh, të cilit iu ngarkua drejtimi i kryengritjes. Emrat e tyre janë “emblema e LV” dhe përderisa LV është faqe lavdie në historinë e Shqipërisë edhe ata janë portrete me dritë nderimi e lavdie në përmendoren e historisë kombëtare. Sikurse Sulejman Delvina me patriotët e KKL dhe me qeverinë e Tiranës, edhe Komiteti “Mbrojta Kombëtare” i Vlorës, 29 maj 1920 me Osman Haxhiun, Sali Bedinin, Hamit Selmanin, Duro Shaskën, Hazbi Canon, Beqir Sulon, Ali Beqirin, Alem Mehmetin, Hysni Shehun, Qazim Kokoshin, Murat Miftarin, Myqerem Hamzarajn, me komandantët e LV major Ahmet Lepenica e kapiten Qazim Koculi dhe me Halim Xhelon, sekretarin e Komitetit, zemërzjarrtin e ditur për Atdhe, mendojmë se i bëjnë më shumë dritë çdo botimi të Historisë së popullit shqiptar, sepse qenë pikërisht ata, që udhëhoqën e drejtuan të organizuar e me plan luftimi trimat e Labërisë dhe të krahinave të tjera shqiptare që e rrokullisën në det të turpëruar Perandorinë e Re Romake. Binomi i shkëlqyeshëm i LV me Osman Haxhiun e Halim Xhelon na kujton binomin atdhetar të Lidhjes së Prizrenit me Ymer Prizrenin e Abdyl Frashërin. Kryetar i komitetit u zgjodh Osman Haxhiu. Pranë komitetit u formua edhe një komision ushtarak, i përbërë prej oficerësh, nën kryesinë e Qazim Koculit, ish oficer i marinës. Komisioni ngarkoi kapitenin Ahmet Lepenica të organizonte formacionet ushtarake. Kuvendi mori vendim t’u bënte thirrje për të rrëmbyer armët gjithë qytetarëve dhe fshatarëve të krahinave të pushtuara dhe sidomos të Labërisë. Më 2 qershor 1920 disa mijra vullnetarë, me armë e pa armë, u paraqitën në Beun dhe në pikat e tjera të caktuara, të organizuara në çeta, secila nën komandën e një fshatari trim, të zgjedhur nga vetë vullnetarët. Thirrjes iu përgjigj edhe batalioni i milicisë shqiptare prej gati 300 vetash, i formuar në Vlorë nga komanda italiane, i cili dezertoi duke u bashkuar me kryengritësit. Nën urdhërat e komitetit u formua kështu një ushtri kryengritësish prej afro 4 mijë vullnetarësh patriotë. Më 3 Qershor dërguan ultimatumin e famshëm historik italianëve, firmosur nga kryetari Osman Haxhiu dhe anëtarët e tij: Qazim Kokoshi, Ali Beqiri, Duro Shaska, ku midis të tjerash thuhet: “Ne e dimë se një popull i vogël, siç është populli shqiptar, s’mund të sulmojë me armët e tij një fuqi të madhe siç është Italia, por qeveria italiane, sado e fortë që të jetë, s’mundet kurrë të ndalojë popullin e vogël të Shqipërisë të derdhë gjakun për idealin e lirisë së tij…”. Këto fjalë paralajmëronin një epokë të madhe, të lavdishme që është skalitur me shkronja të arta në gjithë historinë e Shqipërisë. Ka shumë këngë popullore që flasin për këtë luftë:“O Qemal për këtë ditë,/ Të ishe ndodhur i gjallë,/ Ç’do të kishin parë sytë,/ Osmani 20 vjeç djalë,/ Bridhte malit pa opinga/ Bashkë me Sali Muranë…”. Edhe në këngë të tjera bëhet portreti i Osman Haxhiut në mënyrë të mrekullueshme, me vargjet e luftëtarit të Njëzetës dhe këngëtarit të madh të Labërishtes, Mato Hasani i Bratit: “Ç’të them për Osman Picarë,/ Agai që mbahet rëndë,/ Kur shkon kaluar në kalë,/ Flet pak e flet me mënd./ Ështe ilaç për fukaranë./ Për krahinë, mall e gjënë,/ Miqtë e tij i ka të rrallë,/ Një flori, tjatri argjëndë…
Lufta e Vlorës, si hapësirë, qe vërtetë lokale, si kohë zgjati 2 – 3 muaj, që lartësisht fisnikërisht fitoi profilin e një luftë mbarëkombëtare, statusin e së cilës ia jep historia vetë. Lufta e Njëzetës mbetet një nga epopetë më të lavdishme të popullit tonë, ku shqiptarët treguan vitalitetin e tyre të rrallë, se i thanë botës mbarë e në mënyrë të veçantë Evropës, se ç’është në gjendje të bëjë një popull i vogël, fukara, por patriot edhe kur lufton me të drejtë kundër një fuqie të madhe jo vetëm hiperbolikisht 40 milionëshe. Ajo luftë mbarë shqiptare, ku vetëm treva labe dha rreth 100 dëshmorë e u plagosën mbi 130 vetë. Objektivi u arrit, Italia u hodh në det e kjo dëshmoi se “Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare” (krijuar më prill 1920) e kreu detyrën me Osman Haxhiun në krye, i përkrahur fuqimisht nga Qeveria e Sulejman Delvinës. Fjalë të zjarrta, plot vërtetësi, plot admirime, simpati, nuk kanë mbarim në dhjetra apo qindra vargje të pavdekshme popullore për Osman Haxhiun:“Ulu, o mali me borë,/ Që të shoh përtej në Vlorë,/ Osman Haxhiun me forrë,/ Që ngrihet Baba Tomorrë…”. Fytyra e këtij “vigani” është gdhendur në këto vargje monumentale:“…Osmani ç’i hipi kalit,/ Bëri poshtë buzës së malit/ Seç i foli gjeneralit/ Dil sterës e jo limanit/ Breshkamadh i breshkamadhit/ Të shoç të zotë e vatanit…”. Këtu figura e tij del epike, madhështore, si një gjeneral popullor, i paharruar. Për këtë figurë të shquar mund mund të shkruajmë faqe të tëra pa fund. Por duhet të theksojmë se, emri i tij është përmendur shkarazi në monizëm, po ashtu edhe sot. Në kohën e Zogut nuk u lejua të varrosej në Vlorë, por në çifligun e tij në Picar, disa kilometra larg qytetit, kur Vlora e propozoi që ta kishte varrin pranë Ismail Qemalit. Në 50-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë u dekorua me më të thjeshtën medalje “Për veprimtari patriotike” që është shumë pak. Atë medalje e meriton çdo luftëtar i Luftës së Vlorës. Në kohën e demokracisë s’është kujtuar Lufta heroike e Vlorës ashtu siç duhej, edhe në raste përvjetorësh. Bashkia e qytetit të Vlorës që në vitin 1994 e nderoi me titullin “Qytetar Nderi”, i ka vënë një lagjeje e një rruge emrin e tij, kurse ish- presidenti Alfred Moisiu i akordoi medaljen. Atdhetari i madh Osman Haxhiu vlen të njihet mirë, veprimtaria e tij meriton t’u bëhet e njohur lexuesve shqiptarë të kohës sonë dhe të ardhmes. Patriotë të tillë si Osman Haxhiu meritojnë të nderohen e të përkujtohen jo vetëm nga populli, që i ka përjetësuar nëpërmjet këngëve të tij të bukura, por edhe nga qeveritarët tanë në shkallë krahinore e kombëtare. Ata bënë aq shumë për ne e për pasardhësit tanë. Ne duhet të përpiqemi të shkundim pluhurin e harresës që ka rrezik t’i mbulojë emrat e tyre. Në prag të 95 vjetorit të Luftës së Vlorës e, jo thjeshtë për të bërë një nderim të merituar ndaj asaj ngjarje dhe heronjve viganë të saj, por sidomos për vështrim krahasimtar, për perspektivën shqiptare në familjen qytetare europiane, natyrshëm na vjen në kujtesën vetjake kënga tradicionale, e tabanit, e burimit, apo quajeni si ta ndjeni, por me vargjet e gdhendura me shpirtin fisnik të dinjitetit shqiptar: “Lule, Osmën efendi/ Të ishin dy, tre si ti/ Do të bënej Shqipëri”.
tiranaobserver.al

