SA PËR TË VRARË HESHTJEN…

798
fresco

Shkruan: Syrja Etemi

Edhe një burri koxha të moshuar të kësaj gjeografie të harbuar të Sharrit e Anasharrit, po t’ia parashtrosh një pyetje të beftë në lidhje me botën bimore dhe shtazore, se, sa e njeh, përkatësisht se,cilët janë bimët, pemët, lulet, barishtet, madje kafshët e egra e të buta, zvarranikët, shpezët me fluturat dhe insektet e rrethinës së TIJ më të afërt, ai përveç disa llojeve modeste që do t’i numëronte, zor se do të mund të vazhdonte përgjigjen gjatë e gjatë. Sigurisht se në fytyrën e tij do të përvijoheshin rrudha me isharete hamendjeje e pasigurie… Ndoshta me një ndjenjë fajësie do të vazhdonte me: -“Po, nënën…e di…ka shumë, po tani nuk më kujtohen të gjitha… Prit t’kujtohem edhe pak… Ja, edhe “kjo” apo “ky”… edhe “ai” apo “ajo”…
E, ngulfatja e përligjur me përgjigje të thata e të ngatërruara do të zvarrej në buzët e përthara nga sikletosja, mu si një çamçakëz i zhvatur keq.
E, unë do të mundohem që këta “fajtorë të harlisur” t’i nxjerri nga kjo situatë e pakëndshme dhe e sikletshme, për t’i hapur më mirë sytë e për t’u piketuar më fort në soditjen përdëllimtare, përkujdesjen “hakikat” dhe shfrytëzimin aktiv dhe imanent të këtij thesari që na rrethon; të këtij bollëku të Zotit, që derdhet kudo afër nesh, pranë syve tanë të lëbyrur nga smira e babëzia, pranë hundëve tona të ngritura lartë nga çallëmi se jemi “më të moçmit e Ballkanit”; pranë duarve tona që i përdorim vetëm për të lypur lëmoshë nga “të lartëmadhërishmit e (H)europës”; pranë këmbëve tona që i përdorim (me nder me thënë) vetëm për të shkuar deri në hale, për të dalë jashtë e për t’u krekosur se çfarë “alamet taure” kemi bërë… Prandaj, unë kam vendosur që këmbët e mia të mos i përdori për qëllimin e shpifur, por për avanturën gëluese për të përshkuar trup e tërthor “bajrakun” e fisit tim, me qëllimin për t’iu qasur dhe për ta njohur sa më afër krejt këtë bollëk të pafund të këtij trualli të bekuar dhe, krejt këtë mbushullim – për ta ruajtur si “djalë për mallë” brenda kopertinave të një libri, të cilin nuk ka rëndësi se si do ta titulloj.
Këtu, jam munduar të përmbledh gjithë atë “pajë” që kam qëmtuar për disa vite me radhë dhe, gjithnjë i vetëdijshëm se mund të gjendet akoma material pa u përfshirë, qoftë nga flora, qoftë nga fauna e zonës së vendit.

Comments