HASANI: NGRITJA E AKTAKUZËS NDAJ LIMAJT DEGRADON VLERAT E LUFTËS

Ngritja e aktakuzës ndaj Fatmir Limajt, ka ngritur reagime të mëdha. Një prej tyre është edhe Bajram Hasani, anëtar i kryesisë së Nisma për Kosovën.
Sipas Hasanit, edhe kjo aktakuzë është e montuar politikisht, dhe bëhet për të degraduar vlerat e luftës.
“Nuk do të mundeni që me procese të montuara gjyqësore ta ndalni Limajn. Akuzat ndaj Limajt janë akuza të orkestruara politikisht dhe kanë vetëm një qëllim, degradimin e vlerave të luftës çlirimtare dhe vet figurës së Komandat Çelikut”, ka thënë Hasani.
Hasani ka ripërsëritur se Limaj është vërtetuar si i pafajshëm edhe nga procese të mëhershme gjyqësore, dhe sipas tij, kjo është një tjeter lojë e pushtetit.
“Me ngritje të një aktakuze të re banale, ky pushtet po vazhdon gjahun e shtrigave ndaj Fatmir Limajt”, ka shtuar Hasani.
“Me ty komandant! Me ty çlirimtarë!”, ka treguar përkrahjen ndaj Limajt, kryetari i degës së Nisma për Kosovën në Gjilan, Bajram Hasani.
Lexoni të plotë reagimin e Hasanit:
Nuk mundeni që me procese politike të montuara ta ndalni Fatmir Limajn
Vetëm pak orë pas miratimit të Rezolutës për mbrojtjen e vlerave të luftës, u dëshmua se këtij pushteti dhe as deputetëve që dje gjithë ditën u qaravitën për mbrojtje të vlerave të luftës, nuk u intereson asgjë dhe gjithçka e bëjnë vetëm për poenë të lirë politik. Me ngritje të një aktakuze të re banale, ky pushtet po vazhdon gjahun e shtrigave ndaj Fatmir Limajt. Edhe nëpër sa procese duhet të kalojë ky njeri për t’i plotësuar apetitet e juve që doni vetëm dënimin e tij? A nuk mjaftuan sa e sa procese që ju të bindeni se Limaj është i pastër si loti? Pastërtinë e njeriut që luftoi për lirinë e popullit të vet, mbrojtjen e popullit të vet e ka dëshmuar edhe Gjykata e Hagës. Kjo më së paku është drejtësi. A është drejtësi kur sapo mbyllet një proces i hapet një tjetër. Mjaftë më! Nuk do të mundeni që me procese të montuara gjyqësore ta ndalni Limajn. Akuzat ndaj Limajt janë akuza të orkestruara politikisht dhe kanë vetëm një qëllim degradimin e vlerave të luftës çlirimtare dhe vet figurës së Komandat Çelikut.