Sipas zëdhënësit për shtyp të Ministrisë së Punëve të Jashtme, ambasadorja e Greqisë në Tiranë, Eleni Sourani është thirrur për të kërkuar sqarime në lidhje me qëndrimin e Athinës zyrtare për prishjen e disa ndërtimeve në Bashkinë e Himarës.

Ministria e Jashtme e Shqipërisë e cilëson absurd qëndrimin grek për këtë çështje.

Më poshtë qëndrimi i zëdhënësit të shtypit të MPJ:

Në vijim të interesimit të medias mbi deklaratën e fundit të MPJ greke për Himarën, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Glevin Dervishi sqaron:

Është rasti të themi se habia pason habinë, kur bëhet fjalë për qëndrimet e MPJ greke. Tonet kërcënuese të deklaratës dhe njohja e cekët e situatës dhe rrethanave, nuk mund të mirëkuptohen në Europën e sotme, përveçse si një mesazh i destinuar për konsum të brendshëm.

Shqipëria nuk bën dallime në respektimin e parimeve të shtetit të së drejtës.

Procedurat ligjore të ndjekura nga Bashkia Himarë, të cilat kanë në fokus shndërrimin e qytetit të Himarës në një destinacion turistik europian, janë transparente dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Deklaratat e përsëritura të MPJ greke dhe gjuha anakronike për Himarën janë të papranueshme dhe në kundërshtim me parimet themelore të shtetit të së drejtës. Parime, të cilat orientojnë veprimtarinë e institucioneve të shtetit shqiptar.

Bazuar në sa më siper e në pajtim me praktikat diplomatike, Ministria e Punëve të Jashtme ka thirrur për sqarime Ambasadoren e Greqisë në Tiranë duke shprehur qëndrimin e mësipërm.