Ekspertët: Paratë nuk shfrytëzohen për projekte produktive

Pas publikimit të të dhënave të Ministrisë së Financave se borxhi publik arrin në 4 miliard e 760 milion euro, kanë reaguar ekonomistët.
Sipas profesorit universitar, Vanço Uzunov, niveli i borxhit publik nuk është i qëndrueshëm dhe Maqedonia nuk i ka kapacitetet e duhura ekonomike që të përballojë nivel kaq të lartë të borxhit, por profesori universitar, Tome Nenovski, thotë se edhe pse borxhi publik e ka kaluar 50% të BPV-së, i njëjti mund të ulet gjatë muajve të ardhshëm si rezultat i pagesave.
“Nëse merret parasysh kapaciteti ynë ekonomik për kthimin e këtyre borxheve, mund të them se ne jemi që moti të ngarkuar në borxh, për shkak se paratë e marra nuk janë harxhuar për qëllime apo objekte të cilat në të ardhmen do të ndikojnë në rritjen e aftësisë konkurruese dhe rritjen e aftësisë ekonomike për ta kthyer borxhin pa probleme”,- deklaroi profesori universitar, Vanço Uzunov.
“Nuk ka ekonomist që mund të ju thotë se borxhi publik nuk duhet apo nuk mundet të rritet nëse paratë shfrytëzohen për qëllime produktive, për përmirësim të kushteve ekonomike dhe t’i mundësojë ekonomisë të bëjë kthim përmes tatimit të shtuar apo përmes investimeve kapitale, që të mundet borxhi të shlyhet në periudhën e ardhshme”,- tha profesori universitar, Tome Nenovski.
Huamarrjet nuk po shfrytëzohen për projekte produktive, vlerëson profesori universitar, Velant Ramadani, dhe, sipas tij, kjo do të ketë pasoja për qytetarët, e në veçanti për bizneset.
“Ky borxh, respektivisht këto mjete të harxhuara nga qeveria nuk janë duke u shfrytëzuar për ta ndihmuar sektorin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, por si ka filluar këto vitet e fundit, ato në veçanti investohen në projekte joproduktive për të krijuar një histori nuk e di çfarë, e jo për ta ndihmuar ekonominë e vendit dhe këto pasoja pastaj do t’i ndjejë jo vetëm qytetari i rëndomtë, por shumë më tepër do t’i ndjejnë afaristët”,- theksoi profesori universitar, Veland Ramadani.
Të dhënat e fundit për kuartalin e tretë tregojnë se borxhi shtetëror arrin në 41.9% nga BPV, ndërsa borxhi publik në 50.6%.