Presidenti Thaçi kujton Ismet Jasharin në 20-vjetorin e rënies

250

Në njëzetvjetorin e rënies së Ismet Jasharit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka kujtuar duke thënë se ai ishte një ndër komandantët më të shquar të UÇK-së.

“Ismet Jashari dhe shumë bashkëluftëtarë tjerë dëshmuan më së miri për përmasat kombëtare të luftës sonë të drejtë: në të u përfshin atdhetarë nga gjithë trojet shqiptare dhe nga diaspora, duke dhënë gjithçka materiale, deri tek aktet sublime, rëniet në altarin e lirisë”, tha Thaçi përmes një shkrimi në “Facebook”.

Në mëngjesin e hershëm të 25 gushtit, Ismet Jashari kishte kundërsulmuar befasishëm, në përpjekje për t’i marrë trupat e ushtarëve të rënë. Pas disa orë luftimesh në një distancë të afërt, në altarin e atdheut, në Luzhnicë, bie trimi ndër më të dalluarit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari – Komandant Kumanova.

Në altarin e atdheut kishin rënë edhe Nuhi Mazreku dhe Habib Zogaj. Sot trupi i dëshmorit Ismet Jashari prehet në kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Kleçkë, ku pushojnë edhe trupat e 66 dëshmorëve të tjerë, të Brigadës 121, Ismet Jashari-Kumanova.

Për nder të rënies së Komandant Kumanovës, sot në Kleçkë mbahet akademi përkujtimore për të gjithë dëshmorët e Brigadës 121 “Komandant Kumanova” të UÇK-së.

Comments