Abdulla Mehmeti
Në lidhje me referendumin e 30 shtatorit, drejtuesit e partive politike të shqiptarëve, përfaqësuesit e tyre në pushtetin aktual, parnerët e koalicionit qeverisës dhe Qeveria e Maqedonisë, para se ta fillojnë fushatën sensibilizuese për referendumin e 30 shtatorit, duhet ta kenë të qartë se:
1. Qytetarët shqiptarë do të deklarohen në këtë referendum për Marrëveshjen e Prespës (ndryshimin e emrit të shtetit) dhe integrimin e vendit në NATO dhe BE, por këtë nuk do ta bëjnë për shkak të tyre, por për shkak të interesave të veta, duke e vlerësuar këtë si projekt ndërkombëtar, jo si projekt vendor, të inicuar nga pushteti aktual në Maqedoni.
2. Drejtuesit e qeverisë aktuale dhe të partive politike nuk duhet të fryhen dhe krekosen me këto suksese, sepse çdo qytetar i këtij vendi, sidomos qytetarët shqiptarë, prej tyre presin t’i kryejnë reformat e premtuara dhe detyrimet tjera për të cilat janë zotuar, ndërtimin e shtetit ligjor, zgjidhjen e problemeve të brendshme, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përpartimin e të drejtave të njeriut, pastrimin e institucionove të pushtetit nga strukturat e organizuara kriminale, klanet mafioze dhe rrjetet e agjenturave të huaja.
3. Dielli i shqiptarëve në Maqedoni e din rrugën e tij, më së paku ka nevojë për bateritë e harxhuara të disa partive politike, të cilat zgjohen vetëm kur u lagen ulëset nën prapanicat e tyre në pushtet.
4. Në qytetet dhe vendbanimet shqiptare në Maqedoni nuk ka fare nevojë të zhvillohet propagandë dhe fushatë për këtë çështje, sidomos nga disa parti që këtë e bëjnë për përfitimet e tyre, interesa partiake, jo për interesa të shtetit dhe integrimin në NATO dhe BE. Sidomos, nëse kjo fushatë vazhdon siç ka nisur duke e anashkaluar gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare.
5. Harrojeni se mund t’ua krypni edhe më tej mendjen qytetarëve shqiptarë pa sigurimin e barazisë së plotë të tyre politike dhe juridike-kushtetuese, pa hapjen e prespektivave të reja, projekte serioze, investime kapitale, zhvillim ekonomik, punësime, barazi politike, ekonomike, sociale dhe kulturore në rajonet, komunat dhe vendbanimet shqiptare; pa ndalimin e shpërnguljes masive të shqiptarëve në botën e jashtme për çështje ekzistence dhe të pasigurisë në vend!
(31 gusht 2018)