Partitë politike shqiptare urojnë fillimin e vitit shkollor

234
fresco

Partitë politike shqiptare në Republikën e Maqedonisë sot dërguan urime me rastin e fillimit të vitit shkollor 2018/2019.

Kryetar i Rilindjes Demokratike Kombëtare Vesel Memedi të gjithë fëmijëve u dërgoi urime të përzemërta për fillimin e vitit shkollor 2018/2019, sidomos atyre që për herë të parë do të marrin rrugën e shkronjave.

“Uroj që nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të njohin vetëm përkushtimin dhe sukseset në rrugën e shkollimit të tyre që është e mbushur me kurreshtje dhe sprova të reja. Uroj që mësimdhënësit me zellin, diciplinën, vullnetin dhe seriozitetin e tyre të jenë mbrojtësit më të devotshëm të vlerave arsimore dhe shoqërore, që do ti aftësojnë dhe përgatisin brezat e rinjë për të dhënë kontributin e duhur në zhvillimin e kombit tonë”, thotë mes tjerash Memedi në urimin.

Ndërkaq, kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami e shfrytëzoi rastin që të gjithë fëmijëve t’ua urojë fillimin e vitit të ri shkollor.

“Në emrin tim dhe në emër të Lëvizjes BESA kam kënaqësi të veçantë të gjithë nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve me plot respekt e mirënjohje, t’ju uroj fillimin e vitit të ri shkollor 2018/2019, me shpresë se ky vit do të sjellë suksese në punë dhe përpjekje të përbashkëta të gjithë shoqërisë.  Shkolla është vendi ku duhet të përgatiten dhe të edukohen qytetarët e vetëdijshëm dhe njerëzit e aftë për t’u përballuar me sfidat e jetës. Urime të veçanta për të gjithë fëmijët që ndjekin klasën e parë! Ata mbeten sfida më e bukur që i japin jetë, lulëzim e dashuri klasave. Të gjithë nxënësve Ju uroj shumë suksese dhe të jenë protagonistë të jetës shkollore! Uroj që nxënësit të përfitojnë sa më shumë aftësi, pozitivitet, ekukatë, bashkëpunim, tolerancë, sepse tani e ndërtoni themelin për realizimin e ëndrrave tuaja”, thotë Kasami në urimin.

Kryetari i fraksionit tjetër të Lëvizjes BESA, Afrim Gashi sot të gjithë fëmijëve ua uroi fillimin e vitit të ri shkollor 2018/2019.

“Të nderuar arsimtarë, sot, në ditën e parë të shkollës, kur dëshiroj t’ju drejtohem me urimin për vit të mbarë shkollor, për suksese dhe rezultate me nxënësit tuaj, dua t’ju them edhe se detyra juaj nuk është vetëm ofrimi i informacioneve të nevojshme për nxënësit tuaj, por – për mua – kjo është një detyrë misionarike, që të gjithë neve na bën ta ndjejmë pafuqinë e fjalëve për të shprehur falënderimin dhe ngazëllimin tonë për punën tuaj vetëmohuese. Ne ju detyrohemi dhe ju mbetemi borxh gjithnjë!  Ndërkaq ju, të dashur nxënës, që sot ia keni nisur shkollës me shumë dilema për të ardhmen tuaj, dëshiroj t’ju them se ju jeni ushtarët e suksesit tonë të ardhshëm si komb dhe si shoqëri. Ne shpresojmë se ju do të jeni ambasadorët tanë më të mirë në të ardhmen. Ne dhe prindërit tuaj duam që nesër të mburremi me ju dhe me suksesin tuaj! Dijeni se nuk ka falënderim më të madh për një prind sesa suksesi i fëmijës së tij”, thotë Gashi mes tjerash në urimin.

Edhe Aleanca për Shqiptarët të gjithë nxënësve, prindërve, mësuesve, arsimtarëve dhe me theks të veçantë filloristëve ua uron vitin e ri shkollor, me urime për një vit të mbarë dhe të suksesshëm.

Comments