Dimitrov: Jam i bindur se referendumi do të ketë sukses

252
fresco

Jam i bindur se referendumi do të ketë sukses, sepse ne gjithmonë kur kemi udhëkryq të madh historik zgjedhim me mençuri dhe mendoj se kështu do të jetë edhe në këtë rast, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov në tryezën e rrumbullakët “E ardhmja euroatlantike për Maqedoninë?”.

Referendumi, siç theksoi ai, është legjitimacion politik në drejtimin në të cilin ne mendojmë se duhet të shkojmë.

“Vendosëm guximshëm, bindshëm dhe hapur t’i shikojmë në sy problemet. Arritëm të mbyllim një problem i cili na mban prapa tre dekada dhe t’i hapim dyert drejtë së ardhmes. Bëhet fjalë për stabilitetin dhe sigurinë tonë, për mirëqenien tonë financiare dhe për qasje deri te mjeti më i mirë për reforma që ekziston, e këto janë bisedimet për anëtarësim me BE-në. Zgjidhja është këtu, ne të gjithë si qytetarë duhet të vendosim se a do të shkojmë përpara drejtë së ardhmes dhe integrimeve ose do të kthehemi prapa drejt izolimit”, tha Dimitrov dhe shtoi se nuk ka alternativë tjetër për rrugën përpara.

Është shumë me rëndësi, siç theksoi ministri, që arritëm në këtë kompromis ta ruajmë atë që e kemi më të rëndësishme, e ai është identiteti dhe çështjet lidhur me identitetin.

Në pyetjen se a mund të priten zgjedhje të reja nëse marrëveshja nuk merr përkrahje, Dimitrov tha se e gjithë kjo është në shkallë të dytë në lidhje me vendimin që duhet të sillet në referendum.

“Mendoj se në lidhje me investimin që e kemi me referendumin gjithçka tjetër është margjinale. Zgjedhjet kanë të bëjnë me partitë cilat janë në pushtet, e cilat në opozitë, e para nesh është një çështje shumë e rëndësishme për të ardhmen e Maqedonisë dhe për të ardhmen e të gjithë neve”, tha Dimitrov.

Në lidhje me atë se opozita nuk po e bën të ditur qëndrimin e saj rreth referendumit, Dimitrov tha se vendimet historike kërkojnë raport të ndershëm ndaj qytetarëve dhe përgjegjësive.

Tryeza e rrumbullakët është në organizim të Institutit për politikë evropiane, Institutit për demokraci “Societas Civilis” dhe Qendrës për analiza ekonomike, në bashkëpunim me Aspen institutin nga Berlini.

Comments