A do t’i japin PSD-ja dhe Nisma votat për rrëzimin e Qeverisë?

268
fresco

  

“Demokracia ekziston pikërisht për këtë”, kështu është përgjigjur deputeti i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, për idenë e rrëzimit të Qeverisë “Haradinaj” që doli si rezultat i takimit të djeshëm ndërmjet liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Në një përgjigje për Gazetën Express, Sherifi thotë se askush nuk i ndal për ta bërë një gjë të tillë, dhe gjithçka varet se a do të mund ta bëjnë një gjë të tillë.

“Veç a munden, askush s’i ndal. Demokracia ekziston pikërisht për këtë. Veç a munden, asnjë koment tjetër s’e kam”, ka thënë ai.

I pyetur nëse edhe Nisma do t’i bashkohet një nisme të tillë për rrëzimin e Qeverisë, Sherifi ka thënë se kjo është në dorën e partisë.

“Kjo nuk është çështje e imja, është një vendim që duhet ta marrë kryesia e partisë. Megjithëse, një herë nuk ka ndonjë kërkesë. Nuk është vullneti i imi personal, është çështje e partisë”, është shprehur Sherifi.

Sherifi ka thënë se në rast se do të ketë ndonjë kërkesë serioze për rrëzimin e Qeverisë nga LDK-ja dhe Vetëvendosja, atëherë një gjë e tillë do të shqyrtohet dhe do të jepet një përgjigje.

“Çdo kërkesë që partitë politike e kanë serioze, partitë politike e kanë për detyrë që kërkesat t’i shqyrtojnë dhe të japin një përgjigje. Pas një debati të brendshëm që do ta kemi, atëherë partia do të dalë me një qëndrim”, ka përfunduar Sherifi.

Edhe nga Partia Socialdemokrate thonë se janë të hapur për nisma të tilla, por brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuqi.

“PSD-ja ka dhënë nënshkrimet për rrëzimin e Qeverisë dhe ka qenë e mbetet e hapur për bashkëpunim në iniciativa të ndryshme brenda Kuvendit, të cilat janë në të mirën e vendit”, ka thënë ajo.

Dje Kurti ka qëndruar në shtëpinë e Isa Mustafës në një takim disa orësh, ku kanë diskutuar për koordinimin e tyre si parti opozitare.

“Të gatshëm të koordinojmë bashkëpunimin opozitar në mënyrë që degradimi i qeverisjes dhe rrezikimi i territorit të ndalen sa më shpejt. Kosova si kurrë më parë ka nevojë urgjente për qeverisje të re dhe cilësore”, kishte shkruar Kurti pas takimit.

Të njëjtin qëndrim e kishte ndarë edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Ky takim ndërmjet dy liderëve të partive opozitare ka ardhur në prag të protestës së thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje që do të mbahet më 29 shtator.

Comments