Po përgatiteshin për të kryer vrasje, arrestohen 4 persona. Emrat

Katër persona, të cilët po përgatiteshin për të kryer një vrasje për motive gjakmarrje, janë arrestuar, bëjnë me dije sot burime nga policia.
Në pranga janë vënë: 32-vjeçari Edmond Marku, banues në Durrës, i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Lezhë për Vjedhje; 25-vjeçari Blindim Isa, banues në Kukës, i dënuar më parë për Vrasje me dashje; 22-vjeçari Artur Shehu, banues në Tiranë, i dënuar më parë për Prodhim dhe mbajtje të lëndëve narkotike dhe Klodian Hoca, i cili rezulton i padënuar.
Sipas policisë, ata janë kapur në flagrancë duke përgatitur një silenciator, për ta montuar në pistoletën tip “Zastav”, të cilën e mbanin pa leje.
Këtë armë po e përgatisnin për të kryer vrasjen e një personi, identiteti i këtij të fundit nuk bëhet me dije për arsye hetimi dhe sigurie. Arma është gjetur në banesën e Edmond Markut, dhe është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Materialet proceduriale i’u kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale të “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” në bashkëpunim dhe “Armëmbajtje pa leje”. /Syri.net/

