VV: Policia arrestoi në Podujevë 5 aktivistë që kërkonin drejtësi për Astritin

210

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë me dije se Policia e Kosovës po mban në stacionin policor në Podujevë pesë aktivistë të tyre.

Aktivistët Nurije Demaliaj, Nol Nushi, Blerim Maqestena, Abër Sfishta dhe Kreshnik Gega, sipas Vetëvendosjes, u shoqëruan për në polici pasi kishin bërë grafite që kërkojnë drejtësi për aktivistin Astrit Dehari që vdiq në burg më 5 nëntor 2016, “derisa po mbahej aty si i pafajshëm e me akuza të montuara politikisht”.

“Ky sistem që e ka burgosur Astritin pa asnjë fakt është i njëjti që ende nuk e ka bërë askënd të japë përgjegjësi për vdekjen e Astritit brenda institucionit të sigurisë. Po ky sistem sot, po do që t‘i heshtë zërat që kërkojnë drejtësi për Astritin. Por kjo kërkesë nuk mund të anulohet sepse po kërkohen anekënd Kosovës. Qytetarët nuk mund të pajtohen me padrejtësinë e vdekjes së Astritit dhe me faktin që ende askush nuk ka dhënë përgjegjësi. ‘Drejtësi për Astritin’ është thirrja jonë e pareshtur deri në realizimin e saj si kërkesë”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

Sipas Vetëvendosjes, arrestimi i aktivistëve sot “është skandal i radhës i këtij pushteti”.

“Askush nuk mund ta ndalë këmbënguljen për drejtësi”, potencohet në reagimin e Vetëvendosjes.

Comments