Holub: Zgjedhje kredibile për dalje nga kriza; Elezi: Angazhim maksimal për plotësim të obligimeve nga raporti i KE-së; Istas: Maqedonia ka nevojë për BE-në

168
fresco

Maqedonia mund të dalë nga kriza dhe të ecë drejtë integrimit evropian vetëm nëse ka zgjedhje të besueshme dhe kredibile, vlerëson përfaqësuesi i delegacionit të BE-së në Shkup, Lukas Holub. Ai përkujtoi se Komisioni Europian në progres-raportin e para disa ditëve ka rekomanduar edhe njëherë hapjen e negociatave për anëtarësim, por me dy kushte, zgjedhje të besueshme dhe realizim të reformave.

“Është e qartë se zgjedhjet në dhjetor janë një mundësi për Maqedoninë, që politikanët ta nxjerrin vendin nga kriza dhe të ecin drejt integrimit euroatlantik, ndërsa zgjedhjet patjetër duhet të jenë të besueshme. Pas zgjedhjeve ne do të angazhohemi me qeverinë e re për reformat dhe për të diskutuar se si të përmirësojmë situatën. Këtë vit, KE ka rekomanduar edhe njëherë hapjen e negociatave të anëtarësimit të këtij vendi, por ajo vjen me dy kushte, zgjedhje të besueshme dhe reforma të nevojshme”,- deklaroi shefi i sektorit politik të BE-së, Lukas Holub.

Këto vlerësime përfaqësuesi i delegacionit të BE-së në Shkup i bëri në takimin e 13 të komitetit të përbashkët konsultues të rajoneve të BE-së dhe Maqedonisë, ku ministrja e Pushtetit Lokal, Shirete Elezi, premtoi përmbushjen e obligimeve të kësaj Ministrie që dalin nga progres-raporti.

“Ministria e Pushteti e vendosur në suazat e kompetencave  të veta me ligj edhe  më tej do të angazhohet në anëtarësimin e vendit tonë në BE edhe atë nëpërmjet decentralizimit të mirëfilltë fiskal dhe zhvillimit të barabartë regjional”,- u shpreh ministrja e Pushtetit Lokal, Shyerete Elezi.

Bashkëkryesuesi i Komitetit, Xhan Fransoa Istas, duke theksuar mbështetjen e rrugës euroatlantike të Maqedonisë, theksoi se komunat luajnë një rol të rëndësishëm, pasi 55 për qind e investimeve në vendet evropiane vijnë nga komunat.

“Në aspektin e marrëdhënieve ndërkombëtare është e qartë se Maqedonia ka nevojë për BE-në, por gjithashtu është edhe më e qartë se BE-ja ka nevojë për Maqedoninë. Të gjitha kushtet në këtë kuptim janë të bashkuara për të siguruar progres dhe për të inkurajuar Komisionin për të bërë hapa të rinj në negociatat me Maqedoninë”,- theksoi bashkëkryesuesi i Komitetit, Xhan Fransoa  Istas.

Për Maqedoninë, përveç emrit, gjithçka tjetër nuk paraqet pengesë për pranimin e vendit në BE, vlerësoi kryetari i BNJVL-së, Koce Trajanovski.

Comments