Analistët paralajmërojnë fushatë të ashpër, shigjetime mbi përgjimet dhe çështjet etnike

Më shumë se oferta politike fushata pritet të koncentrohet në përgjimet e paligjshme dhe çështjet etnike. Periudha para hapjes zyrtare të fushatës zgjedhore, ku u shënuan disa incidente, është paralajmërim për një garë të vështirë politike. Megjitha dita e zgjedhjeve pritet të jetë e qetë.
“Unë pres që të jetë fushatë e ashpër, jo verbalisht, por fushatë e ashpër pasi kushdo subjekt politik do të tentojë ta nxjerr maksimumin. Të gjitha palët kanë diçka ose të tregojnë ose të humbasin për këtë vlerësoj se do të shkojnë në sulm frontal te qytetarët dhe ai që do të jetë më i suksesshëm do të përfitojë më shumë”, tha Albert Musliu, analist.
Analistët vlerësojnë se përgjimet e jashtligjshme dhe çështjet etnike do të zënë vend të konsiderueshëm në këtë fushatë.
“Edhe kjo fushatë do të jetë e ngjashme me ato të viteve të kaluara, ndoshta edhe më e ashpër si rezultat i telefonatave të zbardhura ku u panë shumë keqbërje të qeveritarëve dhe kjo me siguri se do të jetë një moment ku opozita do të mundohet ta shfrytëzojë duke e akuzuar qeverinë dhe nga ana tjetër, mbrojtja e qeverisë do të jetë e vështirë, dhe në mungesë të argumenteve për t’u mbrojt unë kam droje se VMRO do t’u kthehet tema të vjetra çështjeve etnike dhe në këtë mënyrë do të tenton ta përfitojë elektoratin dhe ky mund të jetë moment i ashpërsimit”, tha Ibrahim Mehmeti, analist.
Sa i takon bllokut shqiptar, analistët vlerësojnë se ofertat janë përafërsisht të ngjashme prandaj fushata do të orientohet në vetë promovim dhe akuza për dështimet e rivalëve politikë.